Të papunët dhe ndihma ekonomike, në vitin 2022 u shtuan me 25%, shkak edhe rritja e çmimeve

Nga A2 CNN
11 Maj 2023, 15:24 | Ekonomi
Të papunët dhe ndihma ekonomike, në vitin 2022 u shtuan me 25%,

Përdorimi i fondeve për propagandë dhe jo për nxitjen reale të punësimit, ka rritur sipas ekspertëve të ekonomisë numrin e të papunëve. Pavarësisht se ekonomia e vendit është zgjeruar gjatë dy viteve të fundit, numër i të papunëve të regjistruar pranë Zyrave të Punës për të përfituar ndihmë ekonomike është rritur. Kjo sipas ish ministrit të ekonomisë Zef Preçi, ndodh sepse programet e punësimit janë përqendruar në sektorët e gabuar.

“Unë nuk shoh përpjekje nëse shikon ëebet ofroj punë dua punë, janë profesione periferike punë të pakualifikuara dhe nuk pasqyrojnë nevojat reale të ekonomisë. Kanë kaluar dy vjet nga kriza mund të kishte filluar punë rafineria dhe do kishim karburante më të lira. Por interesat oligarkike, paaftësia çojnë në propagandë dhe jo në politika që zvogëlojnë papunësinë, duhet të heqim dorën nga mënyra asistencialiste, kemi një shtet që ushqen këtë lloj varësie. Mjafton të verifikoni çfarë programesh janë për nxitjen e punësimit, sesi këto para shkojnë për rrjete militante apo patronazhistë dhe jo për zhvillimin e aftësive të individëve.”

ZEF PREÇI, EKSPERT EKONOMIE

Themelore për normalizimin sadopak të situatës në tregun e punës sipas Preçit janë reformat strukturore.

“Shqipëria duhet të fokusojë politikat zhvillimore tek rritja e produktivitetit të punës dhe jo të merret me skema rishpërndarëse të cilat kompromentojë të ardhmen dhe rrisin borxhin publik. Nuk pres që  çmimet të rikthehen në nivelin e dy viteve më para apo dhe të ulen më kërkesa me lutje apo dhe me shantazh. Themelore mbetet shtimi i ofertës së mallrave në treg dhe respektim i forcave të tregut.”

ZEF PREÇI, EKSPERT EKONOMIE

Mjeti i vetëm vetërregullues për uljen e papunësisë sipas ekspertëve të ekonomisë është besimi tek forcat e tregut dhe mos injorimi i politikave pro zhvillimit.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni