Vendimi gjyqësor, interpretimi i Apelit mbi “dorëheqjen” e Bashës dhe e kujt është PD
Në vendimin që ktheu për rigjykim në Shkallën e Parë betejën për kryesimin e PD, Gjykata e Apelit të Përgjithshëm ka vlerësuar edhe se cili konsiderohet aktualisht kryetar i Partisë Demokratike.
Saktësimi ka lindur si nevojë e faktit se Apeli shqyrtonte një ankim dhe një kundër-ankim, të bëra nga dy grupime të ndryshme, që pretendonin se ishin përfaqësuesit e ligjshëm të të njëjtës Parti Demokratike, të parët Grupi i Rithemelimit i Sali Berishës dhe pala tjetër përfaqësuesit të autorizuar nga Lulzim Basha.
Në arsyetim, Apeli nuk e ka marrë në konsideratë pretendimin e Grupit të Rithemelimit, se dorëheqja e Lulzim Bashës nga drejtimi i PD është “fakt i njohur botërisht”.
“Dorëheqja” është një fakt, i cili ndodh dhe zhvillohet vetëm përmes realizimit të një akti shkresor, që përcjell një përmbajte të tillë, vërtetësia dhe vlefshmëria juridike e të cilit do të duhet të vlerësohet si në përmbajtje, ashtu dhe një formë.
Nuk rezulton gjithashtu, që në regjistrin e Partive Politike për subjektin PDSH të jetë regjistruar një akt dorëheqje të kryetarit të partisë, Lulëzim Basha, i tillë që të ketë sjellë efekte juridike ndaj të tretëve, përfshirë këtu edhe gjykatën”.
Në këtë mënyrë, Apeli konsideron Lulëzim Bashën drejtues të PD, duke nënvizuar se Komisioni i Rithemelimit nuk paraqiti asnjë provë shkresore për të kundërshtuar një vërtetim të Gjykatës së Tiranës të 6 prillit 2022, që Basha ishte drejtues i PDSH.
Njëkohësisht, Kolegji i Apelit theksonte se vendimi i gjyqtarit Agron Zhukri në Gjykatën e Tiranës, për legjitimimin e Kuvendit Kombëtar të PD të 11 dhjetorit, ku Komisioni i Rithemelimit u caktua si organ drejtues i përkohshëm i partisë, nuk ishte i formës së prerë, nuk ishte pasqyruar në regjistrin e Partive Politike, e si i tillë nuk ka arritur ndonjëherë të krijojë efektet juridike të synuara prej tij.
Në vendimi ne 3 marsit 2023 Apeli ktheu për rigjykim këtë vendim, me arsyetimin se gjyqtari Agron Zhukri ka qenë në konflikt interesi dhe se kreu i gjykatës duhej t’i pranonte dorëheqjen, duke i kaluar gjykimin e çështjes një tjetër gjyqtari.