Zgjedhjet e 14 majit, Agron Kapllanaj: Ballshi është mbushur me persona të panjohur e të armatosur

Zgjedhjet e 14 majit, Agron Kapllanaj: Ballshi është mbushur me persona të panjohur e të armatosur
Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë Ballsh, Agron Kapllanaj ka denoncuar përmes llogarisë së tij në Facebook se në qytet po u bëhet presion votuesve, madje duke përmendur edhe armët.
“Zbarkimi i te gjithë drejtorëve, terrori dhe presioni që po synohet nga ata që po ndiejnë humbjen, nuk i tremb mallakastriotët. Gjatë gjithë ditës, qyteti është mbushur me persona të panjohur e të armatosur, të cilët janë përpjekur të ushtrojnë presion ndaj qytetarëve.
Elementë të keqpërdorur nga mazhoranca si Aranit Dautaj, apo djali i administratorit të Njësisë Administrative Fratar, gjatë gjithë kohës provokojnë mbështetësit dhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike, duke provokuar incidente”, shkruan Kapllanaj.
“Ne jemi të vendosur për një proces zgjedhor me standarde. Do të referojmë në polici dhe organet e drejtësisë çdo incident, çdo tentativë presioni apo intimidimi. Do të referojmë çdo individ me emër e mbiemër, që me urdhër poltik sillet nëpër qytet me armë në brez, për të shantazhuar apo provokuar situata”, shton ai.
Kapllanaj i bëri thirrje Policisë së Shtetit të ruajë pavarësinë dhe të veprojë me profesionalizëm për të garantuar një proces zgjedhor të qetë.
“Humbja i ka verbuar dhe turbulluar. Ata duhet ta dinë se mallakastriotët as nuk tremben, as nuk blihen, e as nuk shitën”, tha Kapllanaj.
Kapllanaj, i cili e ka drejtuar këtë bashki në vitet 2015-2019, garon kundë Qerim Ismailajt nga Partia Socialiste dhe Resmi Shanajt nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.