Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

“Shoqëria kërkon diçka tjetër”, Këlliçi: Banorët e Tiranës nuk reaguan, duhet të reflektojmë

Nga A2 CNN
16 Maj 2023, 19:14 | Politikë
“Shoqëria kërkon diçka tjetër”,

Në daljen e parë publike pas humbjes në garën për Tiranën, Belind Këlliçi, tha se rezultati nuk pasqyron vullnetin e lirë të qytetarëve, pasi sipas tij është ndikuar nga një makineri shantazhi e dhune. Por tonet e tij ishin ndryshe nga ato të Sali Berishës.

 “Isha plotësisht i vetëdijshëm për pjesëmarrjen në garën elektorale më të pabarabartë të këtyre 33 viteve, e megjithatë sërish zgjodha të dal para qytetarëve me një program konkret, të detajuar dhe me një platformë e cila vuri në qendër nevojat e qytetarëve dhe që ofronte zgjidhje reale për shqetësimet e përditshme. Megjithatë kjo nuk mjaftoi”.

Këlliçi flet për mungesë reagimi nga qytetarët e Tiranës, gjë të cilën e përkthen si një mesazh të cilin thotë se e ka lexuar mirë. Shoqëria kërkon diçka ndryshe, pohon kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë, duke kërkuar nga opozita që të reflektojë.

“Banorët dhe votuesit e Tiranës nuk reaguan në atë shkallë që ta mposhtnin mekanizmin e kundërshtarit që është i bazuar në presion, joshje, intimidim, para korrupsioni dhe në propagandë. Unë e kam lexuar shumë mirë këtë fakt. Shoqëria jonë mesa duket kërkon diçka ndryshe dhe pret më shumë prej nesh. Të gjithë ne duhet të reflektojmë rreth kësaj që ka ndodhur dhe unë sigurisht duhet ta bëj i pari”.

Këlliçi ftoi qytetarët të mos ta lexojnë si tërheqje deklaratën e tij, por më parë – theksoi ai – duhet analizuar çfarë është që nuk bindi votuesit.

“Kjo nuk do të thotë se do tërhiqemi, përkundrazi, duhet që të gjithë bashkë të bëjmë shumë më shumë se kaq. Por së pari duhet të kërkojmë brenda nesh, për të kuptuar saktë dhe analizuar me ftohtësi se çfarë publiku, opinioni, banorët dhe votuesit kërkojnë prej nesh. Tirana ka nevojë për opozitë, po aq sa ka nevojë për ujë të pijshëm”, pohon Këlliçi, duke garantuar se do të vazhdojë t’i shërbejë qytetit.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani