
1-përqindëshi mundësi që i dha jetë Interit
Në gusht, kur u hodh shorti i grupeve të Champions League, askush nuk e fuste Interin te favoritët për të fituar Champions League. Madje, nuk llogaritej që zikaltërit do të kalonin grupin, ku bënin pjesë edhe Bayern Munchen, Barcelona dhe Viktoria Plzen.
Kompanitë e basteve i jepnin vetëm 1% mundësi për të fituar kompeticionin, ndërsa 40% për të kaluar grupin. Sot, 9 muaj më vonë, Interi është në finalen e madhe që do të luhet në Stamboll.
Për të arritur në finalen e gjashtë të historisë së tyre (kanë fituar 3) kanë kaluar shumë pengesa. Dhe të gjitha duke u mbështetur në një mbrojtje të shkëlqyer, që i ndihmoi për të eliminuar Barcelonën dhe Viktorian në grup, Porton në 1/8, Benfican në çerekfinale dhe Milanin në gjysmëfinale.
Në Twitter, pas fitores 1-0 ndaj kuqezinjve, Federico Dimarco shkroi: “Ta kisha premtuar para 20 vitesh në San Siro. Sot i vumë gjërat në vendin e tyre: Milano jemi ne”.
Mbrojtësi i majtë është i vetmi futbollist që ka dalë nga ekipet zinxhir të Interit dhe në vitin 2003, kur Interi u eliminua në gjysmëfinalen e Championsit nga Milani, ka qenë në stadium. Atë natë, Dimarco u kthye në shtëpi duke qarë. Dje, festoi në fushë.