Grabiti postën në Tiranë nën kërcënimin e thikës, arrestohet autori

Nga A2 CNN
18 Maj 2023, 11:09 | Kronikë
Grabiti postën në Tiranë nën kërcënimin e

Policia ka bërë të ditur se ka vënë në pranga një 27-vjeçar, i cili dyshohet si autor i grabitjes së një filiali të një poste private në Tiranë, ditën e mërkurë.

Policia njofton se në pranga është vënë Ordis Molla, 27 vjeç, banues në Tiranë.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në filialin e një poste private në rrugën “5 Maji”, ku një shtetas mori një shumë parash pasi kanosi punonjësin e postës, me mjet prerës (thikë) dhe më pas u largua me motomjet, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Filiali”, si rezultat i të cilit u arrestua shtetasi: 

O. M., 27 vjeç, banues në Tiranë. 

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga Policia, u bë i mundur identifikimi i këtij shtetasi, i cili më datë 17.05.2023, rreth orës 21:15, hyri në filialen e një poste private në rrugën “5 Maji”, mori xhiron ditore duke kanosur me mjet prerës thikë, punonjësin e postës, dhe më pas u largua me motomjet.   

Shuma e parave të vjedhura nga shtetasi O. M. u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me mjetin prerës thikë që ai ka përdorur për kanosjen, veshjet e tij gjatë vjedhjes dhe motomjetin me të cilin është larguar. Materialet procedurale në ngarkim të shtetasit O. M. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, njofton policia.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni