Kryetari i Mitrovicës së Veriut bën betimin mes tensioneve me serbët

Nga A2 CNN
19 Maj 2023, 13:17 | Kosova
Kryetari i Mitrovicës së Veriut bën betimin mes tensioneve me

“Unë, Erden Atiq, betohem se do t’i ushtroj kompetencat e mia me nder, besnikëri, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin në mënyrë që t'i siguroj kushtet për një jetë të qetë”.

Me këto fjalë, kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, bëri betimin para kuvendit komunal për marrjen zyrtare të detyrës, në mesin e tensioneve me serbët e veriut, që janë zotuar të mos e njohin.

Gjatë seancës, ai emëroi edhe nënkryetaren e Komunës, Katarina Axhançiq nga radhët e komunitetit serb.

Pas betimit, Atiq tha për mediat se do të punojë për të gjithë qytetarët, pa dallim. 

“Ne me gjithë ekipin, do të punojmë për të gjithë qytetarët pa dallim dhe pa diskriminim. Angazhimin më të madh do ta bëjmë për ta normalizuar, këtë pjesë të komunës. I bëj ftesë të gjithë qytetarëve që të na takojnë, të na vizitojnë dhe të bashkëpunojmë sa më mirë për të mirën e qytetarëve”.

Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin, tha para nisjes së seancës së betimit se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për të mundësuar marrjen e detyrës së kryetarit. Ndërkohë, në ndërtesën e Komunës së Mitrovicës së Veriut është vendosur flamuri i Republikës së Kosovës.

Në prag të seancës konstituive, presidenti Aleksander Vuçiç u bëri thirrje serbëve të Kosovës të ruajnë qetësinë, ndërsa paralajmëroi se nuk do t’i pranojnë kurrë kryetarët e rinj.

Zgjedhjet në veriun e vendit u mbajtën më 23 prill, por u bojktuan nga popullsia serbe. Pjesëmarrja në to ishte 3.47 për qind. Nuk dihet ende se kur do të bëhet betimi i kryetarëve të 3 komunave të tjera, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Për dallim nga Mitrovica e Veriut, ku ekziston një ndërtesë komunale që punon sipas sistemit të Kosovës, në komunat e tjera në veri, deri më tani, autoritetet lokale të Kosovës ishin të vendosura në ndërtesat e të ashtuquajturave organe të përkohshme që punojnë sipas sistemit serb.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha më 18 maj se nuk duhet përdorur forca për të fituar qasje në ndërtesat komunale në veri.

A2 CNN Livestream

A2 Business