Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 100%
  • Zonat malore 0%
  • Qendrat historike 0%

Prilli me sinjale të qarta, të ardhurat po vijnë nga taksat dhe jo më nga shtrenjtimi i ushqimeve

Nga A2 CNN
22 Maj 2023, 16:11 | Ekonomi

Ndryshe nga pushteti vendor, arka e të cilit grumbulloi më pak para në prag të zgjedhjeve të 14 majit, buxheti i shtetit po vijon të mbushet. Të dhënat nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë tregojnë se në katër muajt e parë të vitit u grumbulluan 206.5 miliardë lekë, në rritje me 9.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022-shit.

Por, ndryshe nga një vit më parë, pjesa më e madhe e parave tani po vijnë nga taksat mbi individët dhe sipërmarrjet dhe jo më nga shtrenjtimi i ushqimeve. “Me të drejtë lindin dyshimet e para për rrudhje të të ardhurave pasi po përballemi me rënie të konsumit si pasojë e rrudhjes së të ardhurave përballë inflacionit ende të lartë”, thotë për A2 CNN Igli Tola, pedagog në departamentin e financës, Fakulteti i Ekonomisë në Universitetin e Tiranës.

Me konsumin vendas në tkurrje e sipër, sezoni turistik veror shihet si rruga e vetëm për të mbajtur të ardhurat në nivele të përafërta me vitin e shkuar. “Në afatshkurtër jep një efekt madje të kënaqshëm në gropat buxhetore, or duhet punuar për të mbajtur sa më gjatë të huajt në vend dhe inkurajimin e shpenzimeve nga ata”, thotë Tola.

Në periudhën që i parapriu zgjedhjeve të 14 majit, qeveria duket se është treguar më dorëlëshuar te shpenzimet. Sipas të dhënave nga “financat”, vlera e parave të hedhura për punë publike në harkun e muajve janar-prill arriti në 172.6 miliardë lekë, 3.4 miliardë më shumë se vjet. “Gjykoj se kushte makroekonomike nuk na lejojnë që të jemi dorëlëshuar te shpenzimet publike. Duhet investuar vetëm te ato më emergjente dhe pjesa tjetër të shtyhen”, thotë Tola.

Ndërkohë inflacioni ende në nivele rekord po gërryen jo vetëm xhepat e shqiptarëve, por edhe të shtetit. Nga mbi 206 miliardë lekë në total, pas ndikimit të inflacionit që për harkun e muajve janar-prill ishte 6 për qind, paratë reale që qeveria grumbulloi ishin 172.6 miliardë lekë.

A2 CNN Livestream

Dita jonë