Paga mesatare 900 euro, komisioni i ekonomisë jep “OK”, në fillim përfitojnë 130 mijë të punësuar
Paga mesatare 900 euro, komisioni i ekonomisë jep “OK”, në fillim përfitojnë 130 mijë të punësuar
Rreth 130 mijë të punësuar në administratën publike, bashkë me Presidentin, Kryeministrin, ministrat dhe deputetët do të marrin më tepër para’ në rrogat e tyre.
“Ne kemi analizuar diferencat me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe qëllimi ynë është përafrimi gjatë 2-3 viteve në vijim dhe vijimi i rritjes së nivelit të pagave në sektorit publik, për të arritur mesataren e vendeve të rajonit dhe duke synuar që në harkun kohor e 10-15 viteve paga në vend të bëhet e krahasueshme me mesataren e Bashkimit Europian”, tha Delina Ibrahimaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë.
Mbledhja e Komisionit për ekonominë dhe Financat, në fakt, nisi krejt ndryshe nga sa u mbyll. Kjo, pasi në propozimin e qeverisë, nuk parashikohej rritje pagash për deputetët dhe ministrat.
“Ju keni propozuar këtë që keni propozuar, por keni shkelur ligjin. Deputetët nuk mund të përjashtoheshin nga rritja e pagave”, tha Spaho.
Ishte deputeti demokrat Arbi Agalliu, që pasi kundërshtoi projektligjin, propozoi edhe koeficientet për rritjen e pagave për ligjvënësit. Propozimi u mbështet edhe nga deputetët e mazhorancës të pranishëm në mbledhje.
“Mjerë ai që e sheh Kuvendin si një vend që ka grumbulluar ca njerëz për të vjedhur, për t’i shërbyer vetes së tyre”, tha Braçe.
“S’më intereson nëse më gjykojnë. Rritja e pagave duhet të përfshijë edhe deputetët e ministrat”, tha Alban Xhelili.
Pas kësaj edhe ministrja e për Ekonominë dhe Financat shprehu dakordësinë. Projektligji për rritjen e pagave, bashkë me ndryshimet e propozuara ligjore do të kalojë për miratim në Parlament në seancën e së enjtes.