Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 0%

Belind Këlliçi tregon arsyet e humbjes me 58 mijë vota diferencë ndaj Erion Veliajt

Nga A2 CNN
24 Maj 2023, 20:22 | Politikë
Belind Këlliçi tregon arsyet e humbjes me 58 mijë vota

I ftuar në “Debat” nga Alba Alishani në A2CNN, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ka bërë një rezyme të asaj që ndodhi në zgjedhjet që sapo lamë pas dhe arsyet e humbjes së thellë të tij ndaj kryebashkiakut aktual, Erion Veliaj.

Sipas Këlliçit, këto janë shifra që nuk përkojnë fare me realitetin në terren, dhe shkak për këtë sipas tij është pikërisht presioni dhe intimidimi që i është bërë njerëzve, duke nisur që nga administrata publike, te bizneset e vogla e të mesme, e deri te njerëzit e thjeshtë.

Z. Këlliçi, kur jemi 10 ditë pas zgjedhjeve, ju keni pasur disa deklarata nga e hëna e shkuar deri më sot, por sot ndoshta e shihni edhe më ftohtë rezultatin e humbjes me 58 mijë vota diferencë me Erion Veliajn. E keni bërë një analizë të vetes dhe të palës që ju përfaqësuat në këto zgjedhje?

Sigurisht, unë çdo ditë jam në takime me strukturat e PD, me qytetarë, duke kërkuar të gjej një përgjigje sa më të plotë mbi këtë rezultat që ka ndodhur në Tiranë, që ju garantoj që nuk pasqyron aspak realitetin në terren dhe situatën në Tiranë. Por, shifrat janë ato që janë dhe ne çdo ditë po hetojmë në lidhje me faktet, me provat, për parregullsitë e shumta që janë shënuar në këtë proces zgjedhor.

Sot për shembull kam marrë një të dhënë sipas të cilës, në një nga zonat e Tiranës, më saktë në Njësinë nr.5, te zona prapa “Pallatit me Shigjeta”, ku ka një përqendrim shumë të madh të komunitetit rom, rezulton që forcë e parë është PSD-ja e Tom Doshit, dhe unë nuk e di se çfarë programi ka pasur, çfarë oferte ka pasur dhe çfarë ka premtuar për këta banorë.

Por, cila ka qenë arsyeja që PSD-ja ka thyer rekorde në këto zgjedhje?

Ka blerë vota, fare e thjeshtë. Ndërkohë, dje kam marrë të dhënat për burgun e grave, ku unë kam marrë vetëm një votë, atë të një vëzhguesi dhe 99.9 për qind të votave kanë qenë për kryebashkiakun aktual, Erion Veliaj. Kështu që, të dhëna si këto pasqyrojnë tablonë e një farse të madhe që ka ndodhur në 14 maj në Tiranë.

Të një presioni si asnjëherë më parë ndaj administratës publike, ndaj biznesit të vogël. Ndaj edhe unë u fokusova shumë gjatë fushatës sime te biznesi i vogël dhe i mesëm, por mesa duket intimidimi dhe presioni ka qenë i jashtëzakonshëm. Kjo nuk lë jashtë sigurisht përgjegjësitë që ka vetë Partia Demokratike, që ka vetë opozita për vetë faktin që ne nuk arritëm të gjejmë një gjuhë të përbashkët.

Sigurisht që ka një arsye se përse vetëm në Tiranë partia e vulës nxori një kandidat, kjo për faktin se ishte Erion Veliaj dhe i duhej bërë më e lehtë atij. Ndaj unë pata një kandidat përballë që më shumë më sulmonte mua, sesa Veliajn.

A besoni vërtet që 58 mijë vota mund të jenë të blera, me intimidime, me presione?

Jo, nuk janë të blera 58 mijë vota, por sigurisht që ka pasur një intimidim të jashtëzakonshëm. Pjesa dërrmuese e administratës shtetërore është në Tiranë. Administrata e Bashkisë së Tiranës ka qenë e gjitha e shpërndarë në patronazhim në kuti të ndryshme në Tiranë. Masakra më e madhe ka ndodhur në rrethina dhe në zonat periferike.

A mund të më thoni se sa është kjo shifër që ju thoni se është e blerë?

Unë në Tiranë kam fituar 96 qendra votimi, që në pjesën dërrmuese janë të fokusuara në kryeqytet, zona ku ka qenë shumë e vështirë të depërtonte leku, apo të bliheshin vota dhe kam fituar 8 kuti në zonën e Kasharit, zonë ku kam qenë deputet, një kuti në Farkë dhe një kuti në Vaqarr.

Dhe në pjesën tjetër, sa më shumë shkon nëpër komuna e fshatra, fillon dhe thellohet diferenca e kryebashkiakut që arrin deri në 80 për qind në zonën e Zall Herrit, apo në Krrabë, apo në Ibë. Këto janë shifra konkrete, shifra reale.

https://a2news.com/2023/05/24/kellici-koalicioni-dhe-programi-sishin-te-duhurat-per-te-ndalur-shitblerjen-pd-duhet-te-riformatoje-oferten/
https://a2news.com/2023/05/24/kellici-nuk-behem-pishman-qe-hoqa-dore-nga-mandati-i-deputetit/

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani