"Isha më mirë kur isha trokë...", historia e fituesit të lotarisë të cilit iu bë atentat nga i vëllai

Nga A2 CNN
24 Maj 2023, 08:32 | Lifestyle
"Isha më mirë kur isha trokë...", historia e fituesit

William Post III, i njohur si Bud, fitoi 13 milionë dollarë në llotari, i shpenzoi të gjitha brenda disa muajsh, kaloi kohë pas hekurave dhe madje i mbijetoi një atentati që i bëri vëllai i tij.

Burri nga Pensilvania arriti të mblidhte 40 dollarë pasi shiti një unazë dhe i shpenzoi të gjitha paratë për bileta lotarie. Papritur, ai e pa veten të pasur dhe nuk diti ta menaxhonte këtë pasuri.

Sipas mediave të ndryshme vendase, kompania e lotarisë i akordoi një pagesë vjetore prej një shume të caktuar parash. Makthi i tij nisi vetëm dy ditë, pasi mori pagesën e parë, kur bleu një avion me dy motorë, pavarësisht se nuk kishte patentë dhe disa biznese për vëllezërit e tij.

Avokati i tij, John Lacher, tha se vendimet që po merrte Bud nuk ishin më të mirat e mundshme: “Ai bëri gjithçka që do të prisnit nga një djalë që bëhet milioner brenda natës”.

Në fakt, vetëm tre muaj pas marrjes së parave, ai kishte 500 000 dollarë borxh. Si të mos mjaftonte kjo, ai zbuloi se një nga vëllezërit e tij kishte punësuar një vrasës me pagesë për të vrarë atë dhe gruan e tij të gjashtë, në një përpjekje të dështuar për të kërkuar një trashëgimi dhe kështu të vazhdonte të merrte çmimin në emër të tij.

Atentati kundër tij u krye, por fituesi i lotarisë arriti të mbijetonte. Më pas, ai vazhdoi të bënte investime të këqija, deri në shpalljen e falimentimit, vite më vonë. Përveç kësaj, ai kaloi disa vite burg për shkak se goditi një koleksionist.

“Isha shumë më i lumtur kur isha trokë... Të gjithë ëndërrojnë të fitojnë para, por askush nuk i kupton makthet që vijnë bashkë me paratë”, tha ky burrë në një intervistë për “The Washington Post”.

Edhe pse llogaria e tij bankare ishte në të kuqe, ai mbijetoi pjesën tjetër të jetës së tij me pagesat e tij të aftësisë së kufizuar. Në fund, Bud vdiq në vitin 2006, në moshën 66-vjeçare, duke lënë pas gruan e tij të shtatë dhe nëntë fëmijët nga martesa e tij e dytë.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu