Kthimi i të burgosurve shqiptarë nga Anglia, Manja jep detajet e marrëveshjes

Nga A2 CNN
24 Maj 2023, 13:37 | Politikë
Kthimi i të burgosurve shqiptarë nga Anglia, Manja jep detajet e

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka dhënë detaje të marrëveshje me Britaninë e Madhe për kthimin e të burgosurve shqiptarë në vendin tonë për të vuajtur dënimin. I pyetur nga mediat pas mbledhjes së qeverisë, Manja theksoi se marrëveshja udhëhiqet nga parimet e humanizmit me qëllim riintegrimin e tyre dhe nuk ka asnjë kosto për buxhetin e shtetit.

“Kriteret për transferimin janë të përcaktuara në marrëveshjen që është në fuqi në 2021 dhe marrëveshja tani udhëhiqet nga parimet e humanizmit dhe ka qëllim kryesor që këta shtetas ta vuajnë pjesën e dënimit pranë familjarëve të tyre. Kjo marrëveshje bën të mundur që brenda kapaciteteve të vijnë sipas procedurave që parashikon ligji  ta vuajnë në Shqipëri me qëllim të riintegrimit dhe risocializimit. Janë qytetarë shqiptarë dhe ne kemi detyrë që ta vuajnë dënimin në vendin e tyre për të takuar fëmijët e familjarët e tyre. Marrëveshja nuk krijon asnjë kosto për buxhetin e shtetit dhe Drejtorinë e Burgjeve se të gjitha do të paguhen nga pala britanike për çdo ditë të qëndrimit në burg në Shqipëri. Marrëveshja parashikon fuqizim në kapacitet dhe sistemin e burgjeve”.

Manja nuk dha një shifër të saktë të të burgosurve që do të kthehen ën Shqipëri, pasi sipas tij kjo varet nga kapacitetet e burgjeve shqiptare. Sipas tij asnjë i dënuar nuk do të transferohet pa pëlqimin e tij.

“Marrëveshja parashikon në kohëzgjatje 2-vjeçare. Sa i takon numrit të shtetasve shqiptarë që do të vuajnë dënimin në Shqipëri do të nisemi nga kapacitetet që kemi në burgjet tona. Nuk ka një numër fiks. Se nuk kemi vetëm me Britaninë marrëveshje, por Britania ka marrë përsipër kostot dhe shtimin e kapaciteteve tona. Çdo i dënuar jep pëlqimin para transferimit sipas konventës dhe marrëveshjes. Nëse nuk jep pëlqimin nuk përfshihet në listën e personave të dënuar. Nuk jam për të dhënë shifra dhe anekset financiare të marrëveshjes”.  

A2 CNN Livestream

A2 Business