Real synon t’i "rrëmbejë" Liverpool-it kapitenin skocez për 40 mln euro

Nga A2 CNN
24 Maj 2023, 08:37 | Futboll
Real synon t’i "rrëmbejë" Liverpool-it kapitenin

Një lëvizje surprizë mund të realizohet në merkaton e verës, teksa gjigantët spanjollë të Real Madrid kanë futur në listën e dëshirave të tyre mbrojtësin e Liverpool, Andy Robertson.

Galaktikët janë duke kërkuar në treg për një mbrojtës të majtë me nivel të lartë, për të zëvendësuar francezin Ferland Mendy, i cili duket se nuk ka përmbushur pritshmëritë e presidentit Perez.

Edhe pse u ble nga Lyon në një marrëveshje që i kushtoi 42 milionë paunde, Mendy ka humbur pjesën më të madhe të sezonit aktual për shkak të lëndimeve.

Dhe, pavarësisht improvizimit me Eduardo Camavinga në muajt e fundit, francezi do të preferonte të rikthehej në rolin e tij natyral në mesfushë.

Me Realin tashmë lidhet fort edhe anësori i majtë i Bayern, Alphonso Davies, por gjigantët e Bundesligës duket se nuk duan të privohen nga shërbimet e kanadezit.

Ndërkohë sa i përket kapitenit të Skocisë, Robertson është nën kontratë me Liverpool deri në vitin 2026 dhe nuk ka treguar prirje për t'u larguar nga “Anfield Road”.

29-vjeçari vlerësohet në grupin e mbrojtësve të klasit botëror dhe do t’i kushtonte Realit rreth 40 milionë euro.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni