Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

I paralizuar prej 12 vitesh, 40-vjeçari  mund të ecë përsëri falë një "ure digjitale" midis trurit dhe palcës kurrizore

Nga A2 CNN
25 Maj 2023, 08:00 | Lifestyle

Një holandez 40-vjeçar, i cili ka qenë i paralizuar që nga viti 2011, mund të ecë përsëri duke përdorur një "urë digjitale" midis trurit dhe palcës kurrizore. Truri i tij tani mund të flasë drejtpërdrejt me pjesën e palcës kurrizore që kontrollon lëvizjen, duke e lejuar atë të qëndrojë dhe të ecë natyrshëm. Pajisja u zhvillua nga një grup neurokirurgësh dhe neuroshkencëtarësh nga Universiteti Teknik i Lozanës në Zvicër. Është hera e parë që kjo teknikë novatore, e përshkruar në revistën Nature, është testuar mbi një pacient, por tashmë është e qartë se është hapur një rrugë e re në fushën e rehabilitimit.

“Ndihem si një fëmijë që mëson të ecë përsëri”, tha për BBC, Gert-Jan Oskam. 40-vjeçari holandez ishte 29 vjeç kur në vitin 2011 teksa punonte në Kinë mbeti viktimë e një aksidenti të rëndë me biçikletë, i cili e privoi atë nga përdorimi i këmbëve dhe krahëve.

“Kam qenë në gjendje të qëndroj me këmbët e mia, kam mësuar të eci natyrshëm dhe mund të kontrolloj lëvizjet dhe forcën time”, tha Gert-Jan në konferencën për shtyp të organizuar nga Nature.

Pajisja përbëhet nga dy implante elektronike: i pari vendoset mbi zonën e trurit, i dyti mbi pjesën e palcës kurrizore. Kjo strukturë artificiale, duke vepruar si një urë, lejon kalimin e impulseve elektrike midis neuroneve dhe fibrave nervore, duke lejuar trurin të komunikojë me palcën kurrizore, e cila kontrollon lëvizjen e këmbëve. Qëllimi është të munden njerëzit e paralizuar të lëvizin përsëri në mënyrën më të natyrshme të mundshme, duke përshtatur ritmin e tyre edhe në terrene të pabarabarta, pa humbur ekuilibrin.

Sistemi në bazën e urës digjitale është ende i rëndë. 64 elektroda regjistrojnë sinjalet e korteksit sensorimotor duke përdorur frekuenca që inteligjenca artificiale ka lejuar të identifikojë, më pas sinjalet përkthehen në sinjale elektrike dhe transmetohen në palcën kurrizore, ku merren nga 16 elektroda dhe deshifrohen në kohë reale, pa pasur nevojë për kompjuter për këtë funksion.

Ky rezultat u mundësua nga grupi kërkimor i Universitetit Politeknik të Lozanës i drejtuar nga Gre'goire Courtine, i njëjti që në shkurt 2022 kishte eksperimentuar me një sistem elektrodash që mund të kontrolloheshin me një tabletë, e cila dërgonte stimuj elektrike në muskujt në mënyrë të programuar. "Qasja e re është krejtësisht e ndryshme," tha Courtine në konferencën për shtyp. "Është një urë digjitale, ajo që ne kemi vendosur midis trurit dhe palcës kurrizore. Nuk është një stimulim i thjeshtë, por një ndërfaqe që bën të mundur një bisedë të drejtpërdrejtë midis trurit dhe palcës kurrizore".

U deshën pesë minuta për të kalibruar pajisjen, e cila mbeti e qëndrueshme dhe efikase për më shumë se një vit, edhe kur burri ishte në shtëpi pa mbikëqyrjen e studiuesve.

“Qëllimi ynë i radhës është të kemi sisteme shumë të vogla dhe ne presim që teknika të ketë zhvillime të jashtëzakonshme falë miniaturizimit”, vuri në dukje Courtine. Paralelisht, studiuesit po punojnë për të vazhduar eksperimentimin, i cili në fazën tjetër përfshin përfshirjen e tre personave të paralizuar.

https://a2news.com/2022/02/08/tre-paciente-te-paralizuar-ecin-serish-fale-elektrodave-ne-palcen-kurrizore/

A2 CNN Livestream

Dita jonë