Shpërthejnë videot e rreme, Erdogan: Ne me Allahun, Kilicdaroglu me terroristët

Nga A2 CNN
25 Maj 2023, 14:44 | Bota
Shpërthejnë videot e rreme, Erdogan: Ne me Allahun, Kilicdaroglu me

Presidenti Rexhep Tayip Erdogan do të ketë këtë të diel përballjen më të fortë zgjedhore gjatë karrierës së tij politike dhe për këtë arsye ka intensifikuar dhe sulmet ndaj rivalit kryesor në zgjedhje, Kemal Kilicdaroglu.

“Ata të opozitës, marrin udhëzime nga terroristët në malin e Kandilit. Ne, marrim udhëzime nga Allahu dhe nga populli ynë. Ky është ndryshimi ynë”, u shpreh Erdogan gjatë një takimi elektoral me mbështetësit e tij.

Përballjet e ashpra mes dy liderëve u intensifikuan më tej pas publikimit të disa videove ku Kilicdaroglu shfaqet duke u takuar me krerët e Partisë Kurde në Kandil, një zonë në veri të Irakut, e cila konsiderohet si një ndër vendstrehimet më të mëdha për terroristët.

Por në fakt asgjë nuk është e vërtetë, ekspertët arritën të zbërthejnë fare thjesht se videoja në fakt është një montazh i pastër, i dy momenteve të ndryshme që nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën.

Kılıçdaroglu, kandidati i përbashkët i bllokut opozitar gjashtëpartiak e dënoi këtë video false dhe kërkoi nga Erdogan që të tërhiqej nga deklaratat e tij, por që në fakt nuk sollën asnjë reagim nga ana e presidentit.

Kiliçdaroglu është përpjekur së fundi të tërheqë votuesit nacionalistë me qasje kundër refugjatëve. Ai ka premtuar të kthejë në shtëpi miliona refugjatë sirianë dhe të mbrojë vendin nga kërcënimet terroriste.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni