“Alpet e pastra”, asgjësohen edhe 1437 bimë të tjera kanabisi në Malësinë e Shkodrës

Nga A2 CNN
26 Maj 2023, 11:15 | Kronikë
“Alpet e pastra”, asgjësohen edhe 1437 bimë të tjera

Faza e tretë e operacionit “Alpe të Pastra”, ku janë angazhuar 80 forca policore për kontrollin e territorit të malësisë së Shkodrës duke përdorur edhe dronë, ka çuar në asgjësimin e 1437 fidanëve të kanabisit dhe arrestimin e 2 personave.

Autoritetet bëjnë me dije se po ashtu dy persona, babë e bir, janë shpallur në kërkim për mbi 900 bimë kanabisi të mbjellë në tokë.

Më herët, gjatë fazës së dytë të operacionit, uniformat blu asgjësuan 26.600 bimë kanabisi, të kultivuara në tokë dhe në kubikë, si dhe arrestuan një nga autorët kryesorë.

Në njësitë administrative Pult dhe Postribë, shërbimet e Policisë kanë kontrolluar 191 zona malore dhe zona të tjera me risk.

Gjatë kontrolleve në territorin e fshatit Gjuran, njësia administrative Pult, dhe në  territorin e fshatit Vilzë, njësia administrative Postribë, u evidentuan të kultivuara në tokë 1300 fidanë cannabis sativa dhe 137 fidanë të tjerë u evidentuan në kubikë, të gatshëm për t’u kultivuar në tokë.  Fidanët narkotikë janë asgjësuar me anë të djegies, ndërsa një pjesë e vogël e tyre është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Falë veprimeve të shpejta operacionale, bazuar dhe në informacionet e siguruara, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur identifikimin e 4 shtetasve si autorë kryesorë të dyshuar të këtyre tentativave për kultivimin e fidanëve narkotikë.

U arrestuan në flagrancë shtetasit M. L., 43 vjeç, banues në fshatin Limsh dhe B. F., 53 vjeç, banues në fshatin Vilzë, autorë të dyshuar të kultivimit të 350 fidanëve në tokë dhe 137 fidanëve në kubikë;

U shpallën në kërkim shtetasit L. F. dhe P. F. (babë e bir), pasi në territorin e banesës së vjetër të tyre, janë gjetur 950 fidanë të kultivuar në tokë.

A2 CNN Livestream

Dita jonë