Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

“Dikush do e paguajë me jetën e familjarëve”, Milena Deraj tregon se si është mbajtur peng në Shkodër nga familja Ferracaku

Nga A2 CNN
26 Maj 2023, 15:43 | Kronikë

Gjykata e Tiranës lë këtë të premte në masën e sigurisë “arrest në burg” Milena Derajn, 30-vjeçaren e akuzuar për “mashtrim me pasoja të rënda”. Në seancën e mbajtur ndaj saj, Deraj ka pretenduar se është kërcënuar nga 4 banda për mosmbajtjen e premtimit për të hequr 2 burgime të përjetshme.

Deraj dyshohet se ka marrë përmes mashtrimit një shumë prej 340 mijë euro. Ajo akuzohet se ka mashtruar 3 shtetas (babai dhe dy djemtë), duke iu marrë 340.000 euro, me premtimin se do t’i ndihmonte në një proces gjyqësor që kishin në Shkodër, në lidhje me një ngjarje kriminale të ndodhur në Velipojë, në vitin 2021.

Gjithashtu, kjo shtetase ka mashtruar edhe një shtetase tjetër, duke i marrë 230.000 euro, me premtimin për t’i investuar në bono thesari. Referuar dosjes së Prokurorisë, hetimet filluan pikërisht pas denoncimit të bërë në polici nga vetë Migena Deraj në datën 23 maj 2023 në orën 22:00 të mbrëmjes.

Në polici autorja e mashtrimit ka pretenduar se është mbajtur peng në Shkodër nga anëtarë të familjes Ferracaku, të cilët e kanë kërcënuar me armë.

Në dosjen hetimore që ka siguruar A2CNN, dy ditë para zgjedhjeve është takuar me Abedin Ferracakun, i cili i tha se komunikoi në telefon me Tom Doshin. Më pas, Abedini, Afërdita dhe Milena u nisën për në Shkodër. Sipas Milenës, u ndalën te një ndërtesë në Kiras ose Zus ku nuk kishte persona të tjerë edhe erdhi vëllai i Abedinit, i cili ishte i armatosur.

Ajo thotë se e futën në një dhomë ku i thanë se aty ishte ulur edhe avokati Arjan Ndoj ndërsa thotë se qëndroi rreth 2 orë e 30 minuta e u kërcënua me armë se do vritej nëse përvec shumës 340 mijë euro që i kishin marrë për mashtrim, nuk do i jepte edhe 200 mijë euro të tjera.

Sipas saj, më 22 maj e ka telefonuar Abedin Ferracaku përmes një numri të huaj duke thënë:

“Të erdhi dita të pres në Shkodër”.

Po kështu, Deraj pretendon se ka marrë mesazhe kërcënuese në telefon, konkretisht:

“Nuk duhet me lëviz kund, nesër në orën 10:00 të jesh në Shkodër bashkë me djalin.”

Një tjetër mesazh i gjetur në telefonin e 30-vjecares është:

“E treta, sqarim për çdo gjë se përfunduan këtu ose dikush do e paguaj me jetën e familjarëve”.

Mesazhi i fundit ka qenë natën e denoncimit, ku shkruhej:

“Mos lëviz nga shtëpia, se po vijnë të të marrin”.

Pasi kanë marrë dëshminë e të resë, hetuesit kanë pyetur edhe personat e përmendur prej saj. Një prej tyre ka qenë edhe Afërdita Ferracaku, e cila kishte shërbyer edhe si ndërmjetëse për kontaktin e të akuzuarës me anëtarët e familjes nga Shkodra. Gjatë dëshmisë para hetuesve, Afërdita Ferracaku ka ekspozuar edhe një episod tjetër mashtrimi nga ana e 30-vjeçares.

“Milena thotë se bashkëshorti i saj punonte në Ministrinë e Brendshme dhe kishte njohje të rëndësishme ku kishte mundësi të nxirrte pasaporta shqiptare. Kjo gjë më ka interesuar dhe u kam propozuar disa miqve të saj në Kosovë, por duke qenë se Milena ka kërkuar parapagim 10 mijë euro një shumë më është dukur e ekzagjeruar dhe jam tërhequr nga ky propozim pasi nuk kishte besim”, thuhet ndër të tjera në dosjen e siguruar nga A2CNN.

Përveç pretendimeve se i shoqi punonte në Ministrinë e Brendshme, Milena Deraj ka pretenduar se kishte njohje me gjyqtarë dhe prokurorë të ndryshëm ku ka përmendur edhe ish prokurorin Arjan Ndoja, tashmë avokat, të cilit iu bë atentat në vitin 2019.

Prokuroria përshkruan në dosje pretendimet e 30-vjeçares se ajo ka dashur t`jua kthejë pas paratë anëtarëve të familjes Ferracaku pasi nuk kishte arritur t`ju zgjidhte punë me gjyqin, por pretendon se ata nuk i kanë pranuar madje i kanë kërkuar shuma shtesë. Ndryshe pretendon pala tjetër në këtë çështje, ku theksohet se Abedin Ferracaku i ka kërkuar Derajt kthimin e shumës qoftë edhe duke mbajtur një pjesë të saj.  

Milena Deraj, e cila u mori 570 mijë euro familjes Ferracaku në Shkodër dhe mikeshës së saj, fillimisht mashtroi këtë të fundit. E mashtruar nga Deraj është Elira Shyti, me të cilën ka pasur marrëdhënie shoqërore të vazhdueshme. Duke qenë se Deraj kishte punuar në bankë, i premtoi shoqes së saj Shyti që të investonte në bono thesari, që më pas të përfitonte nga interesat. Burime bëjnë me dije se paratë Elira Shyti i ka dhënë Derajt edhe në bankë edhe në dorë.

Përmes një banke të nivelit të dytë janë kryer 2 transaksione me shumën e parë prej 47 mijë euro dhe të dytin prej 20 mijë euro. Sipas burimeve, pjesën tjetër të parave Elira ia ka dhënë Milenës në dorë. Pas kallëzimit të Shytit ajo ka deklaruar se paratë ia ka dhënë në shuma të ndryshme që variojnë nga 10 deri në 30 mijë euro, para që sipas saj i merrte borxh nga të afërmit. Megjithatë, kur Shyti po shihte se paratë nuk po i ktheheshin mbrapsht, bindi shoqen e saj Milena Deraj për firmosjen e një deklarate noteriale për shumën totale që i kishte dhënë prej 225 mijë euro.

Në kërkim të parave të saj, të cilat nuk po i ktheheshin, Elira Shyti takoi edhe burrin e Milenës, Genci Llakaj. Sipas dëshmisë së Elirës para hetuesve, Genci punonte në Kryeministri dhe ai e kishte garantuar që do t'i kthenin të gjitha lekët, bashkë me fitimin. Lidhur me rastin e mashtrimit të familjes Ferracaku në Shkodër, ndërlidhës mes Derajt dhe Ferracakëve ishte Elira Shyti.

“Në vijim të veprimeve hetimore është paraqitur dhe ka bërë kallëzim shtetasja Elira Shyti pasi është mashtruar nga shtetasja Milena Deraj. Fillimisht prezantimi ka qenë rastësor dhe miqësor dhe Milena është prezantuar si punonjëse e Bankës së Shqipërisë. Pak kohe pasi e ka njohur, Milena i ka propozuar të investojë në bono thesari, si një mundësi që do t'i sillte fitime. Për një periudhë prej 6-muajsh, ajo i ka dhënë Milenës në total shumën prej 225 000 Euro. Këtë shumë parash shtetasja thotë se e ka marrë nga të afërmit e saj. Ajo ka kryer transaksione në një bankë të nivelit të dytë ku bashke me Milenën kanë takuar drejtoreshën e bankës, Aurora Xhaxhiu dhe një pjesë të shumës ja ka dhënë Milenës në dorë. Pasi kaloi periudha që Elira priste të merrte kthimin e investimit të saj, Milena ka filluar të shtyjë datat duke i thënë se vonesat ishin për shkak të procedurave të bankës.

Shtetasja thotë se Milena e ka mashtruar vazhdimisht duke e mbajtur me shpresa dhe duke përdorur pozicionin e saj si punonjëse e Bankës së Shqipërisë. Persona të tjerë nuk kanë qenë prezent kur ajo ja ka dhëne Milenës këto para. Me Milenën thotë se nuk ka nënshkruar asnjë dokument për shumat e parave që i ka dhënë asaj për të investuar, përveç aktit noterial për njohjen e detyrimit. Për bashkëshortin e Milenës thotë se di që ai punon ne Kryeministri.

Në një nga herët që do të takonte Milenën, shtetasja thotë se ka parë që ajo ka takuar një person të bar "Peti" te rruga e "Kosovarëve". Ajo thotë se në biseda Milena i ka thënë se i detyrohej një shumë të konsiderueshme mbi 300 000 Euro personave që kishte njohur nëpërmjet Afërditës. Mesa ka dëgjuar nga Milena, ata ja kishin dhënë leket Milenës për të gjetur një avokat për një çështje gjyqi, por nuk di me shumë. Shtetasja thotë se ka pasur mesazhe nga numra të huaj në aplikacionin "Signal", të cilët i kanë shkruar që të mos dalë nga Shqipëria as ajo dhe as djali i saj deri sa të mbyllej çështja e lekëve që Milena i detyrohet njerëzve.

Ja ka përcjellë Milenës këto mesazhe dhe ajo i ka thënë që të rri e qetë  pasi ajo do t'i kthente lekët që ju kishte borxh. Para rreth dy ditësh dy persona, të cilët ajo nuk i njeh dhe nuk mund t'i identifikojë, e kanë ndaluar poshtë pallatit të saj dhe i kanë kërkuar pasaportën e saj. Nga frika është ngjitur në shtëpi, ka marrë pasaportën dhe ja ka dhënë këtyre dy personave. Ata kanë marrë pasaportën dhe janë larguar.”, thuhet ndër të tjera në dosjen e Prokurorisë së siguruar nga A2CNN, mbi dëshminë e shtetases Elira Shyti.

https://a2news.com/2023/05/26/detajet-e-dosjes-per-mashtrim-340-mije-eurot-i-kerkoi-ish-prokurori-arjan-ndoji/
https://a2news.com/2023/05/26/mori-340-mije-euro-permes-mashtrimit-lihet-ne-burg-ish-punonjesja-e-bankes-se-shqiperise-me-kane-kercenuar-4-banda/
https://a2news.com/2023/05/24/merrte-qindra-mijera-euro-nepermjet-mashtrimit-arrestohet-30-vjecarja/

A2 CNN Livestream

Dita jonë