Periferia më e ekspozuar, me gjithë largimet, Shqipëria ka nivelin më të lartë të papunësisë te të rinjtë

Nga A2 CNN
26 Maj 2023, 15:56 | Ekonomi

Shqipërisë i mungojnë 120 mijë të rinj në vetëm 10 vite. Nga mbi 734 mijë në 2013-n, numri i të rinjve nga 15 deri në 29 vjeç ra në rreth 615 mijë fund-vitin e shkuar.

Rënia e numrit të lindjeve përgjatë dekadave të fundit, por veçanërisht emigracioni janë faktorët përgjegjës për këtë tkurrje drastike të rinisë. Ndërsa një arsye që i shtyn ata drejt kurbetit, është edhe papunësia.

Sipas Institutit Europian të Statistikave , Shqipëria renditet te vendet me shkallën më të lartë të papunësisë te të rinjtë në Rajon dhe Europë, në një nivel prej 21.5 për qind nga 14 për qind në Maqedoninë e Veriut, 8.6 për qind në Serbi apo vetëm 6.3 për qind në Bashkimin Europian.

“Shumica e tyre thonë që nuk kemi shpresë dhe shumica e tyre ikin pasi nuk arrijnë të bëjnë këtë lidhjen (aftësim-biznes). Ata ikin pa e provuar fare”, thotë për A2CNN, Gerta Hagen, Drejtore për Programin dhe Partneritetet/ World Vision Albania.

Zonat rurale, aty ku niveli i papunësisë është edhe më i lartë, po vuajnë më shumë nga emigracioni i të rinjve. Ndaj edhe vëmendja e organizatave me fokus të rinjtë po përqendrohet te periferia.

“Bëhet fjalë për 1 mijë e 500 të rinj në zonat rurale, peri-urbane në gjithë Shqipërinë. kjo që këta të rinj të mos kenë vetëm “soft skills”, por të kenë atë që biznesit i nevojitet duke qenë jo vetëm një punonjës i mirë, por edhe produktiv në punë”, thotë Hagen.

Kjo si një mënyrë e sugjeruar edhe nga Banka Botërore për të frenuar emigracionin.

“Nëse ne e lidhim të riun me tregun e punës i japim atij atë që i mungon dhe ikën jashtë e që është bërë kryefjala e viteve të fundit”, thotë Hagen.

Të dhënat nga Instituti i Statistikave  tregojnë ndërkohë se më shumë se 160 mijë të rinj nga 15 deri në 29 vjeç në vend nuk shkojnë në shkollë e as në punë. Kjo kategori përbën mbi ¼ e grupmoshës.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu