Tregjet e kapitalit, për herë të parë, një shoqëri tregtare bën një ofertë publike në Bursë

Nga A2 CNN
26 Maj 2023, 15:59 | Ekonomi
Tregjet e kapitalit, për herë të parë, një shoqëri

Bursa, apo tregu i kapitaleve, është një prej mjeteve më të panjohura për ekonominë e vendit, tre dekada pas përqafimit të kapitalizmit. Sot thuajse e gjithë paraja qarkullon cash, bizneset përdorin vetëm bankat për të kërkuar hua. Ndërsa tregu i kapitaleve është pak i zhvilluar edhe pse përpjekjet e para për të pasur një bursë datojnë që prej vitit 1996.

Por një dokument i ri i hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë synon pikërisht zhvillimin e tregjeve të lira si instrument për të ofruar financim për ata që kërkojnë para për t’u rritur dhe zgjeruar.

“Kemi pasur së fundmi ofertën e parë publike. Miratimi i ofertës së parë publike është një moment shumë i rëndësishëm për tregun shqiptar të kapitalit, i cili duhet të shërbejë si një sinjal për zhvillimin e mëtejshëm të këtij tregu. Kjo është hera e parë që titujt e një shoqërie i ofrohen publikut të gjerë, duke shtuar kështu alternativat e investimit për investitorin shqiptar, si edhe mundësitë për sigurimin e aksesit në kapital për biznesin vendas.”

Ervin Mete, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delia Ibrahimaj u zotua për të listuar në bursë edhe Shoqëritë Aksionare me kapital shtetëror.

“Nëpërmjet dokumentit të politikave ne jemi angazhuar për të tërhequr edhe disa SHA shtetërore që janë financiarisht të suksesshme të bëjnë edhe ato ofertat e tyre publike. Kjo do të ndikojë në tërheqjen akoma më të madhe të krijimeve të më shumë burimeve të financimit.”

Delina Ibrahimaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë

Zhvillim i tregjeve të kapitalit për Bankën e Shqipërisë është instrumenti që garanton stabilitet për aktorët ekonomikë në vend.

“Zhvillimi i tregjeve të kapitalit është shumë i rëndësishëm pasi është një instrument themelor në drejtim të garantimit të stabilitetit makroekonomik. Ato ulin luhatshmërinë e normave të interesit apo kursit e këmbimit. Tregjet e kapitalit janë mënyra që garanton stabilitet.”

Luljeta Minxhozi, Zv.Guvernatorja e parë e BSH

Dokumenti “Për tregjet e kapitalit” i shtrin efektet deri në vitin 2027 dhe synon të garantojë mundësi financimi dhe mjedis për emetimin e letrave me vlerë, të kanalizojë kursimet nëpërmjet fondeve të investimeve dhe pensioneve dhe të tërheqë investime të huaja.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni