Ushtria serbe e vendosur në Rashkë, në gatishmëri të lartë luftarake, priti ministrin e Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç. Ky i fundit diskutoi me gjeneralët situatën aktuale të sigurisë, ndërsa gjithë vëmendjen e pati te zhvillimet në komunat veriore të Kosovës. Përpara mbërritjes në zonën kufitare që ndan dy shtetet, Vuçeviç foli për televizionin publik të Serbisë, RTS, duke pretenduar se situata në veri të Kosovës është shumë e rrezikshme, sipas tij, për shkak të vendimeve të njëanshme dhe të paligjshme të qeverisë Kurti.
“Ushtria është e gatshme për të kryer çdo detyrë dhe Serbia i ka përcaktuar politikisht se cilat janë vijat e kuqe që kanë të bëjnë me një situatë ku kërcënohen interesat më vitale kombëtare dhe shtetërore. Fjala është për skenarë ku, Zoti na ruajt, dikush vret serbët, pra fillon likuidimi fizik i popullit tonë nga policia e Kosovës, dëbimi i serbëve, masakra, gjithçka që na ka ndodhur 20 apo 30 vjet më parë. Ato situata do të ishin vërtet jo vetëm alarm i kuq, por edhe momenti kur Serbia nisë të veprojë”, tha ministri serb.
Ndërkohë, Rusia vijon përpjekjet për të ndezur edhe më shumë tensionet mes Beogradit dhe Prishtinës. Këtë herë është zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, që ofroi mbështetje për serbët.
“Kemi kthyer sytë nga ajo që po ndodh. Ne mbështesim Serbinë dhe serbët pa kushte. Vlerësojmë se të drejtat ligjore dhe interesat e serbëve të Kosovës duhet të ruhen. Duhet të plotësohen. Nuk duhet të ketë vend për veprime provokuese që shkelin të drejtat e serbëve. Sigurisht që po shohim me interes si po zhvillohet situata. Jemi të shqetësuar”, tha Dimitry Peskov, zëdhënës i Kremlinit.
Më herët kanë qenë një sërë zyrtarësh të Rusisë, përfshirë ministrin e jashtëm Sergei Lavrov, që kanë shprehur kritika të forta për komunitetin ndërkombëtar dhe KFOR-in, ndërsa është kërkuar që Serbia të dërgojë policë dhe ushtarë në Kosovë. (A2 Televizion)