Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Tatimet mbi pagat, hyn në fuqi formula e re, përfitojnë rreth 60 mijë të punësuar

Nga A2 CNN
1 Qershor 2023, 15:51 | Ekonomi
Tatimet mbi pagat, hyn në fuqi formula e re, përfitojnë rreth 60

Gati 60 mijë të punësuar, nga paga e këtij muaji do të marrin diçka më tepër në llogaritë bankare. Kjo pasi ligji i ri i tatimit mbi te ardhurat i cili ka hyrë në fuqi prej 1 qershorit zeron normat tatimore për pagat deri në 50 mijë lekë, nga 40 mijë që ishte më herët.

Kështu një individ që paguhet me 50 mijë lekë në muaj do duhet të paguajë vetëm kontributet duke kursyer në fund të muajit 1 mijë e 300 lekë.  Ndërsa për një page prej 60 mije lekësh, zbritja do të përkthehet në 650 lekë në muaj. Për ekspertët kontabël, lehtësimi i tatimit duhet të ishte më gjithëpërfshirës, për të ndihmuar edhe luftën ndaj evazionit.

“Të gjithë ata që kanë pagat 60 mijë do të deklarojnë sikur marrin 50 mijë për t’iu shmangur tatimeve. Do të ishte më me vend që fasha pa taksa të ishte zgjeruar, në vend të formulës e cila për pagat 60 mijë lekëshe e fillon tatimin te fasha 35 mijë lekë”, tha Flobens Dilaveri, ekspert kontabël.

Teksa një pjesë e pagëmarrësve do të paguajnë më pak taksa, një pjesë e madhe, që prej muajit të shkuar po paguan afërsisht 2,500 më shumë për kontributet shoqërore dhe shëndetësore, që pas rritjes së pagës minimale dhe asaj maksimale.

Sipas ekspertëve këto lëvizje po shkaktojnë pabarazi në taksimin e individëve. “Mungesa e barazisë të të punësuarve para sistemit tatimor vendos një disbalancë mes palëve së pari dhe së dyti nxit efekte negative në buxhet”.

Ndërkohë nga viti i ardhshëm, hyjnë në fuqi edhe ndryshimet e tjera në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, ku njihen disa shpenzime të zbritshme, si ato për fëmijët dhe arsimin e tyre.

A2 CNN Livestream

Dita jonë