Bomba mbi rajonin rus, vriten 2 gra, disa të plagosur. Putin: S’do lejojmë destabilizim të vendit

Nga A2 CNN
2 Qershor 2023, 15:17 | Bota
Bomba mbi rajonin rus, vriten 2 gra, disa të plagosur. Putin: S’do

Dy gra humbën jetën si pasojë e bombardimeve në rajonin kufitar rus të Belgorod. Sipas guvernatorit, Viaçesllav Gladkov, viktimat ishin goditur nga objekte të mprehta teksa udhëtonin me makinë pranë fshatit të Maslova Pristan.

Ai bëri të ditur se 2 persona të tjerë kishin mbetur të plagosur. Gjithashtu, autoritetet në rajonet e afërta të Briansk dhe Kursk raportuan dëmtime të godinave pas bombardimeve dhe sulmeve me dron gjatë natës.

Ukraina nuk ka reaguar ende, por në të kaluarën e ka mohuar përfshirjen në sulmet që kanë shënjestruar rajonet kufitare të Rusisë, duke pretenduar se janë kryer nga grupe antiqeveritare në Rusi.

Një prej grupe kryesore paraushtarake kundër Kremlinit, Legjioni Çlirimi i Rusisë, bëri të ditur se dy civilë ishin vrarë pasi artileria ruse shënjestroi gabimisht automjetin e tyre, duke menduar se atje gjendeshin pjesëtarë të grupit.

Dronë me rreze të gjatë veprimi goditën gjithashtu dy qyteza në rajonin e Smolensk, ndërsa një shpërthim u raportua në një pyll në Kaluga. Gjatë javëve të fundit ka pasur intensifikim të sulmeve ndër kufitare. Të enjten, 8 persona plagosën në Belgorod. Presidenti Vladimir Putin tha se nuk do të lejojmë armiqtë të destabilizojnë vendin.

“Persona dashakeqës po intensifikojnë përpjekjet për të trazuar situatën brenda federatës ruse. Dhe ne duhet të bëjmë gjithçka për të mos i lejuar ta bëjnë këtë, në çdo rrethanë”, tha Putin.

Të premten, zyrtarët ukrainas njoftuan se sistemet e mbrojtjes ajrore kishin rrëzuar rreth 30 raketa dhe dronë të lëshuara nga Rusia. Gjatë muajit te fundit, Moksa ka ndërmarrë më shumë se 20 valë sulmesh raketore e me dronë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos