Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është parë të takojë të gjithë kundërshtarët politikë të kryeministrit Kurti në sallën e Kuvendit të Kosovës, para nisjes së seancës ku debatohet lidhur me situatën në veri të vendit.
Sipas pamjeve të siguruara nga KosovaPress, fillimisht Haradinaj ka takuar deputetin e larguar nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, ndërsa aty ka shfrytëzuar të takojë edhe shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi. Më pas, Haradinaj takoi kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Më pas, bisedoi edhe me shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri. Gjithashtu, Haradinaj takoi edhe deputetët e tjerë të PDK-së, si Ferat Shala, Rashit Qalaj, Blerta Deliu Kodra.
Haradinaj kërkoi disa ditë më parë që të ketë një mocion mosbesimi për qeverinë Kurti, pas asaj që ndodhi në veri të Kosovës dhe reagimin e ashpër të Perëndimit kundër Prishtinës zyrtare.
“Qëndrimi i Aleancës është që të iniciohet mocion mosbesimi për kryeministrin Kurti. Mocioni i mosbesimit bazohet në dy zhvillimet më të fundit. I pari është rrezikimi i sovranitetit dhe i sigurisë në veri, dhe i dyti është prishja e marrëdhënieve me SHBA-në dhe BE-në deri edhe te sanksionet nga SHBA-ja ndaj Kosovës. Do të fillojmë konsultimet me spektrin politik me shoqërinë në përgjithësi dhe besojmë që mocioni është zgjidhja në këtë situatë të krijuar”, tha ai.
Prej gjashtë ditësh tashmë, serbët protestojnë në komunat e veriut, pasi kundërshtojnë kryetarët që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit, të cilët janë shqiptarë.
Të hënën, protestuesit, disa prej tyre me maska, kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur sende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, por edhe përfaqësuesve të mediave, mes tyre edhe të ekipit të A2 CNN. Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.
Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë dhe anuluan pjesëmarrjen e saj në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi qeveria ka refuzuar t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat policore nga ndërtesat komunale. (A2 Televizion)