
Në mes të krizës në veri, Kosova i bën Serbisë një kërkesë zyrtare
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka bërë të ditur se i ka drejtuar Serbisë një shkresë për të kërkuar arkivat që do të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Hoti njoftoi se ka kërkuar nga presidenti i Serbisë të gjitha informacionet, përfshirë edhe ato të klasifikuara, për komandën e Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave. Ai ka shtuar se shkresa e parë ka nisur me Drenicën, sepse atje, sipas tij, Serbia ka nisur krimet masive ndaj popullit të Kosovës.
“Në respektim të zbatimit të Deklaratës për persona të zhdukur, e miratuar në Bruksel, Republika e Kosovës pa humbur kohë ka filluar me kërkesat e saj për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Shkresa që po e publikoj këtu, është vetëm shkresa e parë drejtuar Serbisë, për të kërkuar arkivat që do të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me force gjatë luftës. Ne kemi kërkuar nga Presidenti i Serbisë, të gjitha informacionet, përfshirë edhe ato të klasifikuara, për Komandën e Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave. Kjo brigadë, përveç tjerash ka kryer krime në regjion të Drenicës. Nga masakrat e kryera në fshatrat e Drenicës nga kjo njësi, ka ende civilë shqiptarë të zhdukur. Natyrisht që shkresa e parë fillon me Drenicën, sepse pikërisht në Drenicë, Serbia ka filluar me krimet masive ndaj popullit shqiptar”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Kërkesa vjen ndërkohë që marrëdhëniet me Serbinë janë tensionuar ndjeshëm në ditët e fundit, që kur protestues, disa herë edhe të dhunshëm, kanë penguar futjen në godinat komunale të kryetarëve të zgjedhur nga zgjedhjet e pjesshme të 23 prillit, që u bojkotuan nga serbët. Gjatë përleshjeve kanë mbetur të plagosur edhe ushtarë të KFOR-it, ndërsa Perëndimi është treguar kritik me qeverinë në Prishtinë, duke i kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve.