“Nuk na dëboni dot nga shtëpitë tona”, protestuesit në veri shfaqen me pankarta propaganduese
“Nuk na dëboni dot nga shtëpitë tona”, protestuesit në veri shfaqen me pankarta propaganduese
Në ditën e gjashtë, protestuesit serbë tashmë janë mbledhur para objekteve komunale në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq. Ata kanë ngritur pankarta propaganduese se gjoja po dëbohen nga shtëpitë e tyre.
“Nuk do të na dëboni nga shtëpitë tona”, apo “Duam paqe, jo gaz lotsjellës e shok-bomba”, thuhet në pankartat që ata po mbajnë në duar.
Ndërkaq, pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës të cilët po kujdesen për ruajtjen e rendit, po vazhdojnë të qëndrojnë pranë dhe brenda ndërtesës së kësaj komune.
Mësohet se, të gjithë të punësuarit në institucione publike në veri të vendit janë të obliguar të dalin në protestat që po mbahen në kundërshtim të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit.
Ndërkohë që dihet se këto institucione punojnë sipas sistemit të Beogradit.
Mësuesit lejohen nga KFOR të hynë në shkollë:
Nga ana tjetër, mësuesit e Shkollës së Mesme Profesionale të Zveçanit i kanë kërkuar sot KFOR-it që t’i lejojë të hyjnë në ambientet e shkollës. Ata i kanë kërkuar ushtarëve të KFOR-it t’i lejojnë të hyjnë në vendet e tyre të punës për të marrë dokumente, sepse sot ata duhet t’u japin diploma nxënësve.
Drejtori i shkollës, Blazho Dragoviç i kërkoi KFOR-it që atyre t’u lejohet hyrja.
“Sot është dashur të ndajmë diplomat, por nuk kemi kushte për këtë, sepse jemi të zënë me tela me gjemba. Po mundohemi tani nëse komandanti i KFOR-it do të na lejojë të marrim të paktën disa dokumente në shkollë. Të shohim se çfarë përgjigje na japin dhe a do të na lënë të hyjmë”, tha Dragoviç.
KFOR-i i lejoi mësimdhënësit të hyjnë në shkollë për të mbledhur dokumentet e nevojshme dhe të dalin menjëherë jashtë saj.
Tensionet në veri të Kosovës:
Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futen në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës. Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.
Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.
Ndërsa një sinjal për tejkalim të situatës u pa të enjten, kur ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, tha se me kryeministrin Albin Kurti kishin një takim produktiv dhe se kishin biseduar për marrëveshjen bazë me Serbinë. Në anën tjetër, kreu i ekzekutivit tha se janë të angazhuar për qetësimin e situatës në veri të vendit.