Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në një seancë të veçantë, ku do të diskutojnë për situatën në veri të vendit. Seanca pritet të fillojë në orën 10:00.
Situata në komunat në veri të vendit është tensionuar të premten e 26 majit, kur kryetarët e betuar u detyruan të futen në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.
Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.
Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.
Ndërsa një sinjal për tejkalim të situatës u pa të enjten, kur ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, tha se me kryeministrin Albin Kurti kishin një takim produktiv dhe se kishin biseduar për marrëveshjen bazë me Serbinë.
Në anën tjetër, kreu i ekzekutivit tha se janë të angazhuar për qetësimin e situatës në veri të vendit. (A2 Televizion)