“Qetësia të rivendoset urgjentisht”, BE: Zgjedhje të reja në të katër komunat me pjesëmarrje të serbëve

Nga A2 CNN
3 Qershor 2023, 15:17 | Kosova
“Qetësia të rivendoset urgjentisht”, BE: Zgjedhje të

Bashkimi Evropian reagon ashpër për situatën e tensionuar në veri të Kosovës. Në një deklaratë, BE dënon dhunën e ushtruar nga qytetarët serbë kundër forcave të KFOR, policisë së Kosovës dhe mediave.

“Dhuna mund të ishte shmangur dhe duhet shmangur në të ardhmen”.

BE kërkon që Kosova dhe Serbia të marrin masa urgjente për qetësimin e situatës.

Brukseli e bën të qartë se mosplotësimi i kërkesave do të ketë pasoja.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të marrin masa për të qetësuar situatën, të ndalojnë përdorimin e retorikës përçarëse dhe të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i pakoordinuar. Qetësia duhet të rivendoset urgjentisht. Kosova të pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Kryetarët e komunave duhet t'i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të ndryshme nga ndërtesat komunale. Zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje”.

Bashkimi Evropian kërkon prej Kosovës dhe Serbisë që të ulen në tryezën e dialogut dhe situata të zgjidhet me negociata, si dhe të zbatojnë marrëveshjet e nënshkruara më herët, ku si pikë e parë kërkohet formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos