Rama për BBC: Kurti gaboi! Serbia e humbi Kosovën në '99, koha për paqe e marrëveshje

Nga A2 CNN
3 Qershor 2023, 11:06 | Kosova
Rama për BBC: Kurti gaboi! Serbia e humbi Kosovën në '99,

Pak orë pasi mori pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Europian në Moldavi, ku u pa edhe duke diskutuar ‘kokë më kokë’me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçic, kryeministri Edi Rama ka shprehur qëndrimin e tij për tensionet në Veriun e Kosovës, në një intervistë për BBC News.

I pyetur mbi sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it nga protestuesit dhe rindezjen e konfliktit, Rama u rrek të vishte me përgjegjësi si Presidentin serb edhe Kryeministrin kosovar.

Vuçiç sipas tij është përgjegjës për situatën e krijuar, pasi detyroi serbët të braktisnin institucionet lokale duke krijuar vakumin që shty Kosovën të zhvillonte zgjedhjet e 23 prillit për të ruajtur rendin demokratik.

Ndërsa, për Ramën, Albin Kurtin i fryu zjarrit me këmbënguljen që tregoi duke futuru në zyra nën shoqërimin e Policisë Speciale 4 kryekomunarët.

Ka një situatë shqetësuese në veri të Kosovës, po nuk do ta vija shumë theksin te rreziku. Le të themi se kjo situatë është provokuar së pari nga serbët, të cilët braktisën institucionet, duke krijuar praktikisht një vakum dhe, së dyti, nga autoritetet e Kosovës, që këmbëngulën për vendosjen e këtyre kryetarëve në ndërtesa bosh, ku shumica e popullsisë është kryesisht serbe. Sa për ta sqaruar, zhvillimi i zgjedhjeve ishte gjë shumë e mirë, për të treguar se askush nuk mund të marrë peng procesin demokratik në Republikën e pavarur të Kosovës, por nuk ishte ide e mirë që, më pas, të këmbëngulej që këta katër kryetarë të hynin në ndërtesat bosh nën mbrojtjen e policisë, që solli ndërhyrjen e KFOR-it dhe plagosjen e padrejtë të ushtarëve të KFOR-it”, u shpreh Rama.

Sa i përket përplasjes së Kurtit me SHBA në ditët e fundit dhe ppretendimeve të tij se ndërkombëtarët po mbajnë me hatër Serbinë, Rama deklaroi se “Albini e ka gabim këtu”.

Nuk po përpiqen ta mbajnë Serbinë me të mirë, po përpiqen që më në fund ta çojnë Kosovën në një tjetër nivel, që do të thotë, në një shtet që njihet nga të gjithë, një shtet që mund të zërë një vend në Kombet e Bashkuara dhe në shumë institucione të tjera, ku mungon.

Pavarësisht “tërheqjes së veshit” për të dy liderët, kryeministri shqiptar nënvizon se Kurti dhe Vuçiç janë në rrugë të mbarë për një marrëveshje që do të çonte në njohjen përfundimtare të Kosovës nga Serbia.

Por, kjo njohje sipas Ramës do të bëhet sipas planit franko-gjerman, duke lejuar edhe Asosacionin e komunave serbe në Veri të Kosovës.

Nuk jam këtu për të fajësuar, po përpiqem thjesht t’i përgjigjem pyetjes suaj, ndërkohë që mendoj se tabloja e gjerë është shumë më optimiste, pasi Serbia dhe Kosova, falë Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiçit janë tanimë në pikën më të afërt për arritjen e një marrëveshjeje historike. Besoj po ashtu se fakti që marrëveshja është kaq pranë, mbështetur në të ashtuquajturin propozim franko-gjerman, me rezultat përfundimtar njohjen e ndërsjellë, i ka dëshpëruar njëfarësoj të dy. Është njësoj si një çift në dyert e kishës përpara se të martohen, që i vijnë dyshime, por mendoj se do të jetë …

Mendoj se nuk ka asnjë shans në botë, siç do thoshte dikush... apo siç do thoshte ndonjëherë Shtëpia e Bardhë, që kjo marrëveshje të mos bëhet. Pyetja e vetme është “kur”. Dje ishim të gjithë udhëheqësit në Komunitetin Politik Europian në Moldavi, dhe të gjithë kishin bindje të patundur, sidomos Presidenti francez dhe Kancelari gjerman, se të dyja palët dhe Aleksandar Vuçiçi dhe Albin Kurti duhet të ulen njëherë e mirë dhe të arrijnë marrëveshjen dhe ta zbatojnë atë.”

Edi Rama për BBC News

Lidhur me agresionin ndaj trupave të KFOR-it, ku serbët nuk kursyen ushatërt e NATO-s, Rama tha se dhuna “nuk ka sesi të mohohet”.

Por, nga ana tjetër, sipas tij “dërgimi i kryetarëve të komunave kundër këshillës së mirë të gjithkujt – dhe kur them gjithkujt, e kam fjalën për miqtë dhe partnerët e mëdhenj të Kosovës, pa të cilët Kosova nuk do të ishte ajo që është sot – ishte një hap më i tepërt seç duhej”.

Në fund të kësja interviste, kreu i ekzekutivit thekson se tashmë është koha për paqe në rajon dhe i bën thirrje Serbisë që të kuptojë se “ka reshtur së qeni rrezik dhe e ka humbur njëherë e përgjithmonë Kosovën që në vitin 1999”.

Tani është koha për paqe. Është koha për normalizim. Është koha për t’u ulur. Është koha për të pranuar dhe për t’i dhënë Serbisë atë që ka qenë më parë në marrëveshje, që do të thotë, asociacionin e komunave me popullsi serbe dhe të drejtën e kishës ortodokse serbe që të ketë aktivitetin e saj brenda Kosovës dhe, nga ana tjetër, Serbia duhet të heqë dorë dhe të kuptojë që Kosova ka ikur dhe të pranojë njohjen e ndërsjellë”, tha Rama. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/05/31/tensionet-ne-veri-rama-kosova-dhe-serbia-afer-nje-marreveshje-konflikti-mund-te-ishte-shmangur/
https://a2news.com/video/rama-ne-nje-tavoline-me-vucic-ti-jepet-fund-absurdit-kercenues-per-veriun-e-kosoves/

A2 CNN Livestream

Latest Videos