Një person humbi jetën ndërsa 14 të tjerë mbetën të lënduar si pasojë e një aksidenti të rëndë pranë Napolit, ku u përfshinë 5 makina dhe një autobus me pasagjerë.
Ngjarja u regjistrua pranë komunës së Vallesaccarda, teksa autobusi i nisur nga Lecce, në drejtim të Romës, u përplas me makinat për të dalë më pas nga rruga në një skarpatë.
Shkaqet e aksidentit janë ende të paqarta, teksa paraprakisht dyshohet se autobusi nuk ka mundur të frenojë në kohë, për të shmangur një përplasje mes tre makinash që kishte ndodhur minuta më herët.
Të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spital dhe 2 prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore. (A2 Televizion)