Moti “ndryshon fytyrë”! Breshër i dendur në Maliq e Kukës, dëme në bujqësi

Nga A2 CNN
24 Qershor 2023, 13:04 | Aktualitet

Pas ditëve me diell, moti pësoi një transformim, duke u shoqëruar me reshje shiu, por edhe breshër në disa zona.

Dëmet më të mëdha bëjnë me dije burime pranë Bashkisë së Maliqit kanë qenë Vreshtas dhe Nizhavec të kësaj bashkie. Dëmet janë kryesisht në kulturat bujqësore si gruri, jonxha, misri dhe në vreshtari. Sipas banorëve reshjet e breshërit kanë zgjatur më shumë se 15 minuta duke shkaktuar dëme të konsiderueshme aq sa dëmet në misër dhe në vreshtari në veçanti janë shumë të mëdha, pasi sipas tyre është humbur më shumë sesa 40% e prodhimit të pritshëm. Nga ana e bashkisë pritet ngritja e një komisioni për të verifikuar dëmet e shkaktuara pasi flitet se edhe në fshatra të tjerë të fushës së Maliqit për të njëjtën arsye ka pasur dëme në përqindje më të vogël.

Duhet thënë se reshje breshëri ka pasur edhe gjatë ditëve të fundit jo vetëm në fushën e Maliqit, por edhe atë të Korçës, ku dëme më të shumta ka pasur në kulturën e grurit në fshatrat Turan dhe Ravonik. Ndërkohë që reshjet e vazhdueshme të shiut kanë pasur ndikim negativ edhe në drufrutoret kryesisht në qershia dhe molla, çka i ka detyruar fermerët të shtojnë trajtimet në mollë dhe për shkak të sëmundjeve të ndryshme të shfaqura pas reshjeve të dendura të shiut.

E njëjta panoramë është parë edhe në Kukës, kryesisht në zonat malore në lindje të tij Shishtavec, Topojan e Zapod. Një pjesë e mirë e kulturave bujqësore dhe drurët frutorë kanë pësuar dëme të konsiderueshme. Dëmet më të shumta nga breshëri në madhësinë e një arre, u shkaktuan në parcelat e mbjella me patate. Reshje e stuhi të tilla nuk ishin parë në këtë zonë, e për fat të keq kanë përkuar me kulmin e punëve në bujqësi, kur pritej një prodhim i mirë bujqësor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos