Ngadalësohet rritja ekonomike, PBB zgjerohet me 2.72% në janar-mars, kryesojnë pasuritë e paluajtshme

Nga A2 CNN
3 Korrik 2023, 15:16 | Ekonomi
Ngadalësohet rritja ekonomike, PBB zgjerohet me 2.72% në janar-mars,

Ritmet e rritjes së ekonomisë shqiptare u ngadalësuan në fillim-vit, siç edhe ishte paralajmëruar nga institucionet ndërkombëtare.

Instituti i Statistikave vlerëson se në harkun e muajve janar-mars Produkti i Brendshëm Bruto u zgjerua me vetëm 2.72 për qind, kur një vit më parë rritja ishte pranë 7 përqindëshit për të njëjtin tremujor.

Ky është madje ritmi më i dobët i rritjes që prej Shatorit 2020, kur vendi përballej me pandeminë dhe vuante pasojat e mbylljes globale.

“Mund të themi se pritej. Kjo si pasojë e inflacionit si element i parë dhe emigracioni i vijueshëm si arsye e dytë si arsye e dytë.”

Edison Zaçaj, pedagog ekonomie

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në tremujorin e parë ekonominë e kanë mbajtur në këmbë ndërtimi dhe sektori i pasurive të paluajtshme. Rritja e çmimeve dhe e numrit të turistëve prodhoi një ecuri pozitive edhe për sektorin e “Tregtisë, hoteleve dhe transportit”.

Ndërsa për bujqësinë vetëm një rritje anemike.

“Ne jemi ekonomie e bazuar te prodhimi Si e tillë ne kemi nevojë për krahë pune që sot mungojnë. Bashkë me rritjet e shtrenjtimin e  lëndëve të para kjo ka bërë që sektorët të mos performojnë aq pozitivisht.”

Edison Zaçaj, pedagog ekonomie

Në 3-mujorin e parë të vitit, atëherë kur euro sapo kishte nisur tatëpjetën, eksportet e mallrave u rritën me 8.28 për qind, ndërsa importet me 7.723 për qind.

Ndërkohë konsumi i qeverisë, tregues i shpenzimeve të kësaj të fundit u rrit me 4.34 për qind, ndërsa konsumi i popullatës u zgjerua me vetëm 3.05 për qind. (grafik 3)

Fondi Monetar Ndërkombëtar projekton se ekonomia shqiptare këtë vit do të zgjerohet me vetëm 2.9 për qind nga 4.84 vitin e shkuar.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi