Arda Güler është zyrtarisht futbollist i Realit të Madridit. Talenti 18-vjeçar firmosi kontratën që e lidh me “Los Blancos” për 6 vitet e ardhshme. Ylli i Fenerbahçes kushtoi 20 milionë euro, plus 10 milionë të tjera bonus.
Ai udhëtoi menjëherë drejt kryeqytetit spanjoll dhe vizitoi qendrën sportive të Valdebebasit. Për Arda Güler, Reali i Madridit mposhti konkurrencën e shumë klubeve të mëdhenj europianë. Mesfushori, i cili vlerësohet për cilësitë e larta teknike, kërkohej edhe nga Barcelona, Sevilla, Milan, por edhe disa klube të Premier League.
Ai bëhet blerja e gjashtë më e kushtueshme e “merengues”, për futbollistët deri në 18 vjeç. Podiumi është i gjithi brazilian: Rodrygo dhe Vinicius Junior kanë kushtuar 45 milionë euro, ndërsa Endrick 37,5 milionë euro.
Ashtu siç ndodh shpesh me talentët më të mirë në botë, Madridi ishte zgjedhje e parë. Madje, fantazisti turk kërkoi të transferohej menjëherë në “Santiago Bernabeu”. Me afrimin e Güler, praktikisht Reali ka siguruar të ardhmen, pasi ka në kontingjent thuajse një formacion të plotë me futbollistë deri në 23 vjeç. Atyre u shtohen edhe lojtarë si Valverde apo Militão.
Pas blerjes së Jude Bellingham për 103 milionë euro, apo rikthimit të Brahim Diaz nga huazimi te Milani, Arda Güler bëhet përforcimi i radhës i bujshëm nga madrilenët, që në pritje të Kylian Mbappe, deri më tani kanë shpenzuar më pak se 130 milionë euro në merkato. (A2 Televizion)