Fatin nuk mund ta luftosh, por mund të bësh më të mirën që ta ndryshosh. Ky është misioni i Tiranës, pas shortit të Challenge Cup në volejboll për meshkuj. Bardheblutë peshkuan skuadrën më të fort të mundshme të grupit. Goglat nuk u treguan aspak bujare me kampionët e Shqipërisë, të cilët i vendosi përballë Makabi Tel Aviv.
Izraelitët janë një rival i frikshëm, i cili gjatë edicionit të kaluar arriti deri në finalen e këtij turneu, ku në duelin për trofeun ndërkombëtar, u thye nga Olimpiakos.
Maçabi tel Aviv ka një kontingjent tejet cilësor dhe burime të mëdha financiare, të cilat e lejojnë të qëndrojë gjithmonë në nivele të larta. Ata drejtohen nga Ari Selinger, i cili vlerësohet si një prej trajnerëve më të mëdhenj në historinë e volejbollit. Sezonin e kaluar ata fituan titullin kampion dhe Kupën në Izrael.
Ndeshjet e para do të luhen më 24 dhe 26 tetor, teksa sfidat e kthimit nga 31 tetori deri më 2 nëntor. Avantazhi i vetëm i Tiranës është fakti që luajnë në shtëpi takimin e dytë.
Shorti përcaktoi edhe rivalin e turit tjetër, nëse bardheblutë bëjnë mrekullinë dhe kualifikohen. Nëse kalojnë Makabi Tel Aviv, kampionët e Shqipërisë do të ndeshen me gjermanët e Helios Grizlis Giesen. (A2 Televizion)