Harta e çmimeve të reja të apartamenteve, Astiri me rritjen më të madhe, në ish-Bllok referenca arrin në 228.000 lekë

Nga A2 CNN
2 Gusht 2023, 13:06 | Ekonomi

Nga Fresku në Astir, përfshirë ish-Bllokun e Yzberishtin, qeveria ka rritur çmimet e referencës së apartamenteve mbi të cilat bëhet vlerësimi i taksës së pasurisë.

Unaza e Re është zona me rritjen më të madhe të çmimit të referencës me 76 për qind. Nga 65 mijë lekë për metër katror çmimi rritet në 114 mijë e 300 lekë.

Alliasi, Medreseja dhe Komuna e Parisit janë zonat e tjera me normën më të lartë të shtrenjtimit me 54 deri në 57 për qind. Çmimet e referencës janë rritur në 113 mijë e 850 lekë në Don Bosko, 117 mijë e 800 lekë në Porcelan dhe 159 mijë e 100 lekë në Yzberisht.

Në zonën e ish-bllokut ndër më të shtrenjtat të kryeqytetit, një metër katror vlerësohet në 228 mijë e 400 lekë, 20 për qind më shtrenjtë nga çmimi i referencës së 2018-s.

“Reflektimi i fundit i çmimeve të referencës i përket 2016-s me disa ndryshime të vogla në vitin 2018. Kjo do të thotë se ka kaluar një kohë shumë e gjatë që nga reflektimi i tregut. Ndaj sot kemi çmime reference ndjeshëm më të larta, për disa zona edhe 2-fishim,” shprehet Ervin Demirxhiu, vlerësues i Pasurive të Paluajtshme.

Në raport me vlerësimet e vitit 2018, rritja mesatare e çmimeve të referencës për 32 zonat kadastrale të kryeqytetit llogaritet rreth 29,600 lekë për metër katror. Çmimet e reja të referencës do të rrisin vlerën e taksës së pronës për qytetarët dhe bizneset e cila paguhet në faturën e ujit.

“Përkthehet në tatim. E gjithë kjo gjë bëhet për efekt pagesash tatimi. Ne kur shesim një pronë paguajmë tatim-fitimi; kur japim një pronë me qira paguajmë tatim në burim. Kjo do të thotë se për një pronë në Komunën e Parisit për të cilën ti paguaje dy lekë, me çmimet e reja të referencës do të paguash 4.”

Çmimet re reja prekin edhe tregun e qiradhënieve të banesave dhe hapësirave për biznes.

Normalisht do të ndikojë kështu, ashtu siç ndodh edhe te shitjet. Kjo pasi një pjesë e madhe e transaksioneve bëhen me çmim reference. Pra do duhet të rishikohen kontratat e qirave. Qiradhënësi do duhet të kërkojë rritje pasi do duhet të paguajë më shumë tatim me çmimet e reja të referencës.”

Formula e miratuar që në vitin 2018 parashikon taksimsa 0.05% e vlerës së apartamentit, ndërsa për bizneset kjo taksë është 0,15% . Me metodologjinë e miratuar në 2018-ën, kur nuk është i mundur përcaktimi i vlerës së apartamentit në mënyrë të veçantë, atëherë merret për bazë çmimi i referencës së zonës. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/07/31/deri-ne-20-me-shume-taksimi-i-prones-me-vleren-e-tregut-do-te-rrise-shpenzimet-per-qytetaret/

A2 CNN Livestream

Latest Videos