Taksimi i pasurive të paluajtshme, kush ka dy apartamente do të paguajë më shumë

Nga A2 CNN
4 Gusht 2023, 16:12 | Ekonomi

Kush ka një banesë në pronësi do të paguajë më shumë taksa. Edhe më shumë para do të nxjerrë nga xhepi cilido që ka dy ose më shumë apartamente në zotërim. Projektligji që parashikon ndryshimet në skemën e taksimit të pasurive të paluajtshme doli për Konsultim publik.

Konfirmohet se në vitin 2026 taksimi i pronave nuk do të bëhet me çmim reference, por me vlerë tregu. Ky është ndryshimi i parë rrënjësor pasi kjo do të thotë që vlera e pronës do të jetë më e lartë, rrjedhimisht edhe taksa mbi të. Kjo taksë që do të na vilet përmes faturës së ujit.

Ndryshmi i dytë rrënjësor lidhet me skemën e  taksimit të pasurive të paluajtshme. Për apartamentet për banim, taksa është 0.05 për qind. Ajo do të rritet nga 0.1 në 0.2 për qind, në varësi të asaj që do të vendosë Këshilli Bashkiak Vendor.

Me 0.15 deri në 0.25 të vlerës së ndërtesës do të taksohen qendrat tregtare, pronat bujqësore dhe ato industrial.

Ata që nuk i përfundojnë objektet në afat do kenë një taksë shumë më të kripur, plot 30 për qind të vlerës së pronës.

Për ata që zotërojnë një banesë edhe pse ndryshon skema, vlera e taksës mbetet e njëjtë. Me gjithë rritjen pragut të taksimit në 0.1 për qind, gjysma do të zbritet. Ajo që ndryshon për ta është taksimi me vlerën e tregut dhe jo më me çmim reference, që do të thotë se gjithsesi do të duhet të shpenzojnë ca para më shumë nga sa paguajnë sot.

Për ata që zotërojnë dy banesa, taksa për apartamentin e parë nuk ndryshon ndërsa për të dytin do të rritet në segmentin 0.1 deri në 0.2 për qind, në varësi të bashkisë ku gjendet.

Konkretisht për një individ që zotëron dy apartamente me vlerë 8 milionë lekë secili, pagesa për taksën e banesës së parë mbetet 4 mijë lekë ndërsa për të dytën bëhet 12 mijë lekë.

Ndërkohë sipas relacionit të projektligjit, taksohen me 0.1 deri në 0.3 për qind edhe hapësira e tokës ku gjendet prona për banim, parcelat bujqësore dhe ato pyjore.

Nga skema e taksimit përjashtohen pronat shtetërore, ato fetare, hotelet me 4 dhe 5 yje, banesat me pronar përfitues të ndihmës ekonomike, banesat sociale në pronësinë e pushtetit vendo dhe njësitë e ndërtesave që janë pasuri kulturore. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/07/31/deri-ne-20-me-shume-taksimi-i-prones-me-vleren-e-tregut-do-te-rrise-shpenzimet-per-qytetaret/

A2 CNN Livestream

Latest Videos