
Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar këtë të martë në Shpirag aty ku është bërë një zbulim i rëndësishëm i kryer 6.1 km në thellësi të tokës naftëmbajtëse.
Rama shkruan në një postim në Facebook se në fund të vitit pritet testi përfundimtar teknik i vlerësimit të qëndrueshmërisë së presionit të fluksit të gazit e të naftës, deri mbi sipërfaqen e tokës. Po ashtu, kryeministri thekson se po punohet për projektin e Fondit Sovran që do të administrojë këtë pasuri të madhe kombëtare.
“Sot në Shpirag, ku zbulimi i rëndësishëm i kryer 6.1 km në thellësi të tokës naftëmbajtëse, mbart bashkë me premtimin e madh të nxjerrjes së një pasurie të konsiderueshme për Shqipërinë dhe shqiptarët, edhe sfidën e testit përfundimtar teknik të vlerësimit të qëndrueshmërisë së presionit të fluksit të gazit e të naftës, deri mbi sipërfaqen e tokës. Në fund të këtij viti do ta mësojmë këtë, ndërkohë që po punojmë paralelisht për projektin e Fondit Sovran që do të administrojë këtë pasuri të madhe kombëtare, duke u nisur nga studimi i vëmendshëm i praktikave botërore të fushës, si fondet sovrane të Norvegjisë, Arabisë Saudite, Azerbajxhanit e me radhë.
Paçim fat tanimë kur kjo përpjekje thuajse dhjetëvjeçare, po i afrohet orës vendimtare të së vërtetës”, shkruan Rama në Facebook. (A2 Televizion)