Konsumatorët dhe tregtarët pesimistë, ndërtimi dhe shërbimet mbajnë ndezur besimin në ekonomi

Nga A2 CNN
1 Shtator 2023, 14:35 | Ekonomi
Konsumatorët dhe tregtarët pesimistë, ndërtimi dhe

Ndikuar nga rritja e çmimeve, por dhe rënia e euros, shumë prej sektorëve të ekonomisë kanë shfaqur një rënie të besimit për muajin gusht. Sipas vrojtimit të përmuajshëm të Bankës së Shqipërisë mbi besimin në ekonomi, industria, tregtia dhe konsumatorët janë treguar pesimistë.

Të pakënaqur nga prodhimi aktual dhe kontratat porositëse, besimi në industri ra me 5 pikë përqindje. Ndërsa sektori i tregtisë shprehet pesimist mbi ecurinë aktuale të bizneseve duke regjistruar një rënie me 2.8 pikë përqindje.

Ekspertët e ekonomisë shpjegojnë se ky trend pritet të vazhdojë, nëse sektorë të caktuar nuk ndihmohen në përballimin e situatës. 

“Tregtia dhe industria nuk po performojnë në nivelet e duhura, rritja e çmimit të lëndës së parë, karburant, energji elektrike, por dhe nënçmimit të euros për shkak të gjendjes së eksportuesve në humbje e cila ndikon në një bilanc tregtar negativ”, u shpreh ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiq.

Të prekur nga kjo situatë, qytetarët rritën pesimizmin edhe në muajin gusht, teksa i frikësohen një rritjeje të mëtejshme të çmimeve.

“Ne jemi të dy pensionistë, çdo rritje çmimi na ndikon keq, ne shpresojmë te shteti të na rrisë pensionet.” “Situata në qoftë se s’do ketë rritje rrogash dhe ulje çmimesh do na vështirësohet shumë.”
“Nuk ka kontroll për çmimet dhe populli është i rënduar jashtë mase. Nuk kam besim në ekonomi.”

Nga ana tjetër, vetëm shërbimet dhe ndërtimi, janë sektorët që përcjellin pritshmëri më pozitive gjatë muajit gusht. Pas 2 muajsh në rënie, sektori i shërbimeve kanë shfaqur optimizmin më të lartë në anketë, falë rekuperimit të kërkesës, që lidhet kryesisht edhe me performancën e turizmit. Në nivele të larta besimi paraqitet dhe ndërtimi, një prej kontribuuesve kryesor në rritjen ekonomike. 

“Shohim që ndërtimi ka një liberalizim të lejeve të ndërtimit që ka ndikuar në performancën e këtij sektori gjithashtu dhe punësimet. Ndërkohë që shërbimet që përfshijnë turizmin, është një sektor strategjik që po zhvillohet dita-ditës dhe shohim një rritje të turistëve që sjellin të hyra lokale dhe personale, ndaj këto dy sektor performojnë mirë”, shtoi Radonshiq.

Të ndikuar nga këta dy sektorë, treguesi i ndjesisë ekonomike në muajin gusht u rrit me 2.1 pikë në krahasim me muajin korrik, duke arritur në nivelin 114.1.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi