Aksident i tmerrshëm në garën e Moto GP. Udhëheqësi i kampionatit, Francesco Bagnaia humbi kontrollin e motorit në kthesat e para të Çmimit të Madh të Katalunjës, kur po kryesonte pas nisjes së shkëlqyer, dhe u rrëzua në mes të pistës.
Motori që ishte pas tij, KTM e Brad Binder, i kaloi sipër këmbës duke e dëmtuar. Gara u ndërpre menjëherë, edhe pse disa sekonda më përpara kishte ndodhur një tjetër aksident masiv, ku u përfshinë 4 pilotë. Italiani, kampion në fuqi i MotoGP, u dërgua fillimisht në ambulancën e pistës e më pas në spitalin e Katalunjës.
Fatmirësisht, 26-vjeçari është në gjendje të stabilizuar, pasi aksidenti mund të kishte qenë shumë më i rëndë.
Drejtori i Ducatit, Tardozzi dha shpresë duke theksuar se bëhej fjalë për një dëmtim më të lehtë nga ai që mendohej dhe shtoi se Bagnaia do të rikthehej shpejt në pistë.
Gara e sotme u fitua nga spanjolli Aleix Espargaro, me Aprilia, ndërkohë që në vend të dytë përfundoi shoku i tij i skuadrës, spanjolli tjetër Maverick Vinales. Podiumi u plotësua nga një tjetër spanjoll, Jorge Martin, me Ducati Pramac. (A2 Televizion)