Pësoi aksident të rëndë, Ducati tregon gjendjen e kampionit në fuqi të MotoGP

Nga A2 CNN
3 Shtator 2023, 17:14 | Sporte të tjera
Pësoi aksident të rëndë, Ducati tregon gjendjen e kampionit

Mbrëmjen e së dielës, ekipi Ducati ka bërë me dije gjendjen shëndetësore të pilotit italian Francesco Bagnaia, i cili në Çmimin e Madh të Katalunjës pësoi një aksident të rëndë. Kampioni në fuqi i MotoGP u rrëzua në kthesat e para të Çmimit të Madh të Katalunjës dhe një motor KTM i kaloi sipër këmbës.

Ai u dërgua fillimisht në qendrën mjekësore të pistës e më pas në spital për kontrolle të mëtejshme, të cilat fatmirësisht nuk kanë treguar dëmtime të rënda për 26-vjeçarin.

“Ka pësuar goditje të shumta në trup, por nuk ka asnjë frakturë. Kampioni i Botës në fuqi do të kthehet sot në shtëpi, bashkë me skuadrën”, lexohet në komunikatën e Ducati.

Për këtë aksident të rëndë reagoi edhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni. Me anë të një postimi në Tëitter, ajo i uroi shërim të shpejtë pilotit italian.

“Urimet e mia për një shërim sa më të shpejtë për Francesco Bagnaia, pas dëmtimit të pësuar gjatë Çmimit të Madh të Katalunjës. Forca Pecco, të presim në pistë që të na bësh sërish të ëndërrojmë”, lexohet në mesazhin e kryeministres italiane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos