Sondazh: Si e shikoni politikën shqiptare prej vitit 1990-të?
  • Të pëmirësuar 5%
  • Më keq 58%
  • E njëjta 38%

Shqipëri – Poloni: Lista e rrugëve të bllokuara. Policia publikon masat

Nga A2 CNN
9 Shtator 2023, 09:12 | Futboll
Shqipëri – Poloni: Lista e rrugëve të bllokuara.  Policia

Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash ndeshjen ndërkombëtare të futbollit Shqipëri – Poloni, që do të zhvillohet nesër në vendin tonë në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”. Nga siguria, te rrugët që do të bllokohen dhe ndëshkimet për ata që thyejnë rregullat dhe ligjet parashikohen në planin e masave.

Plani i masave parashikon eskortimin dhe sigurimin e futbollistëve të ekipit të futbollit të Polonisë, nga aeroporti i Rinasit në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas, si edhe eskortimin dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të futbollit të Shqipërisë, në stadium.

Gjithashtu parashikohet kryerja e kontrollit të hollësishëm në mjediset e stadiumit dhe brenda stadiumit, për persona të paautorizuar, sende dhe lëndë të ndaluara, para se të futen tifozët;

-Organizimi i shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës;

-Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;

-Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit.

Për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare, është bashkkëpunuar me të gjitha institucionet që kanë rol në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti si Federata Shqiptare e Futbollit; Policia Bashkiake; Shërbimi Zjarrfikës; Shoqëritë private të sigurisë, spitalet, qendrat shëndetësore dhe ato të ndihmës së parë.

Gjithashtu, janë vendosur kontaktet dhe po bashkëpunohet edhe me personelin e shërbimit të sigurisë të ekipit të futbollit të Polonisë, në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare. 

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, gjatë datës 10 shtator 2023, nga ora 15:00, deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit. 

Rrugët që do të jenë të bllokuara:

-bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, 20 m mbi urën e Dajtit;

-rruga “Papa Gjon Pali II”;

-rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së;

-rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së”;

-rruga “Themistokli Gërmenji”;

-rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i liceut;

-rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;

-rruga “Jul Variboba”, pranë postës;

-rruga “ Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës;

-rruga “Avdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.

Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike monedha metalike, çadra, çakmak, karikues telefoni dhe sendeve të tjera të forta të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.

Policia informon shtetasit shqiptarë dhe të huaj, se në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.

Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Legjislacioni penal shqiptar e konsideron vepër penale goditjen apo çdo vepër tjetër dhune ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportive, për shkak të veprimtarisë sportive, nga persona jashtë kësaj veprimtarie, vepër penale që dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Portat e hyrjes në stadium, ditën e ndeshjes, do të hapen në orën 17:00.

Policia u bën apel tifozëve që do të ndjekin ndeshjen në stadium, që të paraqiten në kohë dhe të zbatojnë rregullat e përmendura më lart, në mënyrë të mos krijohen radhë ose vonesa dhe ky aktivitet të përmbyllet pa incidente, në interes të imazhit të vendit.

Debat - nga Alba Alishani