“Shpirt dhe zemër”, Sylvinho tregon “recetën” për fitore ndaj Polonisë

Nga A2 CNN
9 Shtator 2023, 21:08 | Futboll
“Shpirt dhe zemër”, Sylvinho tregon “recetën”

Trajneri i Shqipërisë, Sylvinho, në konferencën për shtyp në prag të përballjes me Poloninë, deklaroi se kuqezinjtë do të luajnë me shpirt dhe zemër përballë publikut të tyre, duke theksuar se është shumë “e rëndësishme të mos humbasim”.

“Do të luajmë me shpirt dhe zemër. Do të luajmë përpara 20 mijë tifozëve. Do të jetë e vështirë, na pret një ndeshje aspak e thjeshtë. Pres që skuadra të ketë qasjen e duhur. Me mbështetjen e popullit shqiptar, unë mendoj se do të bëjmë diçka të madhe gjatë 90 minutave. Të gjithë futbollistët zbresin në fushë për fitore, të gjitha skuadrat përgatiten për fitore. Por, ka edhe kundërshtar përballë që ka objektivat e veta. E rëndësishme është të mos humbasim”, deklaroi braziliani.

Sylvinho nënvizoi se Shqipërinë e presin 4 finale deri në fund të eliminatoreve të Evropianit.

“Jemi përgatitur shumë mirë. Ne do të luajmë me shpirt dhe me zemër në aspektin strategjik. Më pas është edhe aspekti taktik. Polonia ka një skuadër të madhe, kanë lojtarë shumë cilësorë dhe një trajner me eksperiencë. Jam i kënaqur me skuadrën time. Jemi në mes të rrugës, kemi edhe katër finale. Edhe Shqipëria ime ka lojtarë shumë të fortë teknikisht. Do të jetë një ndeshje e bukur dhe e luftuar”, u shpreh Sylvinho.

Shqipëria renditet në vendin e dytë të grupit E, me 7 pikë, një më pak se Republika Çeke. Ndërkohë që kundërshtari i radhës i kuqezinjve, Polonia, renditet në vendin e tretë, me 6 pikë, duke e bërë ndeshjen e nesërme një finale të vërtetë për fatin e grupit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos