Grumbulluesit në borxh me fermerët, detyrimet kanë arritur deri në 10 milionë euro
Të punosh për muaj të tërë dhe në fund të mos marrësh atë që meriton. Është ky fati i shumë bujqve shqiptarë që përveç se i dorëzojnë produktet e tyre pa e ditur çmimin e pa faturë, duhet të presin edhe një kohë të gjatë për të marrë paratë.
“Ne nga këto shpresojmë. Po nuk morëm këtu ne jemi të falimentuar. Ne jemi të falimentuar dhe vetëm po mbijetojmë. Nuk po rrojmë, por po mbijetojmë”, deklaroi fermeri nga fshati Goriçan, Beratit, Leonard Hasko.
Fermerët thonë se i dorëzojnë produktet e tyre kuturu, pa e ditur çmimin. Grumbulluesi nuk e cakton vlerën ditën që fermeri dërgon prodhimin.
“Unë dua ta shes mallin, por kur të mbarojë sezoni, hajde edhe dy javë të tjera duhet të jenë të likuiduara. Ti m’i likuidon lekët pas 6 muajsh! Unë çfarë do ha?!”, u shpreh fermeri në zonën e Lushnjës, Vladimir Çela.
Grumbulluesit i justifikojnë vonesat dhe mosvendosjen e çmimit në momentin e dorëzimit të mallit, me nevojën për të parë ecurinë e shitjes së produkteve në tregjet e huaja.
“Probleme të tilla kemi dhe janë vërtetë problem i madh. Ne kemi kërkuar nga qeveria që të miratojë disa kushte për të licencuar kompanitë eksportuese. Ato duhet të kenë një kapital të mjaftueshëm për të mbuluar edhe kostot për blerjen e mallit nga fermerët”, u shpreh kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Frutave dhe Perimeve, Laurat Mulliqi.
Tregu thuajse është deformuar në mënyrë të hapur dhe të pranuar nga të gjithë: përfshirë kultivuesit, grumbulluesit, tregtarët dhe eksportuesit.
“Është kthyer në një sistem oligarkik. Me gjithë numrin e lartë të pikave të grumbullimit, aktiviteti është i përqendruar vetëm në duart e disave”, tha ekspertja Ballesha.
Zinxhiri i vonesave në pagesa që arrijnë deri në 10 milionë euro po ndikon drejtpërdrejtë në ngadalësimin deri në pamundësi të vijimit të aktivitetit bujqësor në sezonet vijuese duke prodhuar më shumë toka djerrë e çmime të kripura.