“Jemi ende shumë të lirë,” Gjecaj: Në veri do të rriten akoma më shumë çmimet
Të dhënat zyrtare tregojnë për miliona turistë që shkelën Shqipërinë këtë vit, teksa sezoni turistik vijon ende.
“Maldivet e Europës me çmime te ulëta”, ishte një ndër promovimet që iu bë vendit. Turistët, këtë vit në numra shumë herë më lartë, nuk vizituan vetëm jugun e vendit por edhe Alpet.
Aida Gjecaj, në një lidhje direkte nga Thethi thotë për A2 CNN, se veriu i vendit këtë vit u përball me një fluks të lartë teksa nevoja për struktura akomoduese mbetet urgjente.
Gjecaj shprehet se qeveria duhet të ndërhyjë me leje të posaçme me leje, pasi veriu ka nevojë për bujtina të tjera në mënyrë që vizitorët të mos kthehen mbrapsht.
Megjithatë, vizitorët kanë qenë kryesisht me buxhet të kufizuar.
“Në Alpe kemi pasur turistë backpacker ose siç quhen ndryshe me bukë me vete që kërkojnë standardin më të mirë, por me çmime më ulëta.”
Aida Gjecaj shpjegon se në veri të vendit ka pasur rritje të çmimeve deri në 15% dhe kjo për shkak të rrethanave që kanë ndikuar në rritjen e çmimeve në të gjithë vendin. Kjo ka bërë që turistët, sipas saj, të ankohen për çmimet referuar standardit të zonës.
Megjithatë, ajo thekson se jo vetëm që çmimet në veri nuk janë më të shtrenjta se në Mal të Zi apo në vende të tjera, por paralajmëron se sezonin tjetër do të kemi rritje të mëtejshme të tyre.
“Jemi akoma shumë të lirë dhe vitin tjetër, për shkak të kërses së lartë do të kemi sërish rritje çmimesh dhe kjo do të ndikojë te turistët vendas.”
Risi për këtë vit në veri kanë qenë turistët spanjollë të cilët kanë përbërë thuajse 50% të të gjithë vizitorëve.