Prej vitesh pa një pagë, “të dekurajuarit” që nuk marrin përgjigje nga zyrat e punës

Publikuar më: 13/9/2023, ora 19:44

Prej vitesh pa një pagë, “të dekurajuarit” që nuk marrin përgjigje nga zyrat e punës

Publikuar më: 13/9/2023, ora 19:44

Besim Mata nuk e ka arritur moshën e pensionit. Ai është 60 vjeç, por është gatshëm të pranojë çdo mundësi.

“Nga halli njeriu bën çdo gjë, ja dalë me krahët e mi të punojnë ndonjë gjë të vogël por s’dalin në fund të muajit”, shprehet Besim Mata.

Prej një viti endet më kot pranë zyrave të punës dhe tashmë shpresat i ka humbur.

“Të gënjejnë kur vijmë këtu tek zyrat e punës, thonë do ju gjejmë punë. Këtu vijnë dhe ikin nuk marrim zgjidhje edhe të tjerët”, shton ai.

Besimi e mbyll muajin duke lejuar makinat të parkojnë para shtëpisë kundrejt një pagese të thjeshtë. Teksa për ndihmë ekonomike nuk i plotëson kriteret e nevojshme, sytë i mban nga pensioni, të cilin i duhen edhe disa vite për ta përfituar.

Të papunët kanë histori të ndryshme, e një pjesë e tyre hasin vështirësi për t’u regjistruar pranë zyrave të punës për shkak të mosrespektimit të kontratës nga punëdhënësit e mëparshëm. Lindita tregon arsyen se përse nuk mundi të regjistrohej dot si e papunë. 

“Kam punuar në privat 7 muaj më dhanë librezën dhe e kishin shkruar largim nga vendi i punës me dëshirë. Shkova tek zyrat e punës dhe nuk përfitoja dot pagesën si e papunë pasi rezultonte në librezë ke ikur me dëshirën tënde, ndërkohë që mua më hoqën nga puna”, tregon ajo.

Gjatë tremujorit të dytë ata që cilësohen si të papunët e dekurajuar të grupmoshës 30-64% përbënin 15,4 % të popullsisë ekonomikisht jo-aktive. Kur u pyetën ata deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë.