Emigrantët po u dërgojnë më shumë para familjeve në Shqipëri

Publikuar më: 14/9/2023, ora 12:57

Emigrantët po u dërgojnë më shumë para familjeve në Shqipëri

Publikuar më: 14/9/2023, ora 12:57

Emigrantët shqiptarë iu dërguan familjeve të tyre 444 milionë euro në gjysmën e parë të vitit. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në raport me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë, remitancat janë rritur me 68 milionë euro.
Pedagogia dhe sociologia, Eris Dhamo, u shpreh për A2 CNN: “Kemi një inflacion në vend, gjë që sjell kërkesë mbi ekzistencën dhe varësinë e grupeve vulnerabël ndaj remitancave”.

Nevojën për më shumë para si pasojë e shtrenjtimit të jetesës e pohojnë edhe vetë qytetarët që presin remitanca: “Tani që janë rritur çmimet, jemi të detyruar që t’u kërkojmë fëmijëve më shumë para. Unë kam vëllezërit që më ndihmojnë”.

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, dy qarqet më të varfra të vendit, Kukësi dhe Dibra, janë edhe ato që kanë varësinë më të lartë nga remitancat. Njëkohësisht, në rang vendi, 26% e familjeve shqiptare që marrin para nga jashtë, kanë më pak të ardhura në dispozicion sesa pjesa tjetër.

“Nëse po prapë do t’iu referohemi shifrave të INSTAT, atëherë do të kuptojmë se paratë nga remitancat shkojnë për të plotësuar nevojat bazike dhe jo për argëtim apo luks”, deklaroi Dhamo.

Me gjithë shifrat e rritura, për shkak të zhvlerësimit të euros, familjet shqiptare kanë pasur më pak lekë në duar. Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, humbja e familjeve shqiptare si pasojë e zhvlerësimit të valutës europiane përllogaritet në rreth 15%.