Sigurimi ndaj tërmeteve, AmCham: Nuk duhet të jetë i detyrueshëm dhe vetëm në dorë të shtetit

Publikuar më: 14/9/2023, ora 14:50

Sigurimi ndaj tërmeteve, AmCham: Nuk duhet të jetë i detyrueshëm dhe vetëm në dorë të shtetit

Publikuar më: 14/9/2023, ora 14:50

Nisma e qeverisë e cila detyron qytetarët të sigurojnë apartamentet ndaj tërmetet vlerësohet si e nxituar dhe e pakonsultuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.

Duke analizuar projektligjin e hedhur për Konsultim Publik në fillim të muajit të shkuar, Dhoma Amerikane e Tregtisë vlerëson se sigurimi ndaj tërmeteve nuk mund të jetë e detyrueshëm dhe se qeveria nuk duhet të marrë atributet e kompanive private.

Projektligji është hartuar pa u konsultuar sidomos me operatorët e tregut të sigurimeve, por edhe me ekspertë të fushës që mund të ofrojnë zgjidhje të mira mbështetur në eksperiencën që kanë, duke neglizhuar në mënyrë të përsëritur një proces konsultimi të rregullt dhe gjithëpërfshirës.”

Dhoma Amerikane e Tregtisë kërkon një analizë mbi kostot e sigurimit nga tërmetet që do të rëndojnë mbi qytetarët dhe bizneset.

Një çështje e rëndësishme që duhet të parashikojë ky projektligj është rregullimi dhe normimi i shumës së sigurimit, primit për t’u paguar dhe kushtet e policës së sigurimit, çështje të cilat meritojnë vëmendje dhe kujdes të posaçëm për impaktin financiar që kanë, sidomos në një shoqëri ku mungon kultura e sigurimit.”

Sigurimi i detyrueshëm nga tërmetet kundërshtohet edhe nga qytetarët, veçanërisht nga të moshuarit të cilët zotërojnë të paktën një pronë.

“S’kemi mundësi t’i paguajmë me 100 mijë lekë pension që kam unë çfarë do paguaj”, shprehet një qytetar.

“Kam apartament. Një taksë më shumë s’mundem dot. Ku do i çoj me 80 mijë lekë pension, i thonë ilaçe të gjitha, ka dy muaj që s’më ngel asgjë për të ngrënë.”

Sipas relacionit të projektligjit, qytetarët dhe bizneset që kanë në pronësi apartamente apo zyra do të duhet t’i sigurojnë ato ndaj tërmeteve, përndryshe nuk do të marrin shërbimet publike dhe kadastrale që ofrohen në e-Albania.