Dyqanet e lagjeve, supermarketet, baret dhe restorantet shitën më shumë produkte në harkun e muajve prill-qershor. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se shitjet me pakicë në tremujorin e dytë të vitit u zgjeruan me 5.2 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë.
Kontributin më të madh në këtë ecuri e ka dhënë kërkesa për artikuj joushqimorë, ndjekur nga ata ushqimorë dhe karburantet. Mirëpo shifrat e INSTAT nuk përputhen plotësisht me atë që qytetarët thonë.
“Po si të blejmë me këto çmime. Domate e sezonit kushtojnë 1 mijë e 500 lekë. Nuk dimë se ça po bëhet”, shprehen qytetarët.
Rënien e konsumit e konfirmojnë edhe tregtarët me pakicë.
“Po shitjet janë përtokë. Edhe njerëzit kanë të drejtë, pasi nuk kanë para. Po shesim me gramë”, thonë tregtarët.
Për ekspertë të ekonomisë, rënia e konsumit po vjen nga disa faktorë.
“Konsumatori vendas po blen më pak. Kjo si pasojë e çmimeve të larta, por edhe zhvlerësimit të euros. Dimë që shumë familje janë të varura nga remitancat dhe nënçmimi i valutës i dëmton ata”, shprehet ekspertja Romina Radonshiqi.
Ndërkohë shifrat e INSTAT mund të rriten vetëm nga zgjerimi në nivele rekord i turizmit.
“Rritja e kërkesës për produkte me pakicë mund të shpjegohet vetëm me shtimin e turistëve, numri i të cilëve këtë vit preku nivele rekord”, thekson Radonshiqi.
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në harkun e muajve prill-qershor turistët e huaj shpenzuan në vend 930 milionë euro, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë. (A2 Televizion)