
Departamenti amerikan i shtetit u shpreh i zhgënjyer që raundi i ri i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, u mbyll pa ndonjë përparim.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i DASH theksoi se Shtetet e Bashkuara presin që palët t’i marrin seriozisht detyrimet që burojnë nga marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve, përfshirë themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Koha po kalon. Ne duam të shohim përparim sa i përket detyrimeve ekzistuese dhe ato të mëparshme, duke përfshirë këtu themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ne do të konsultohemi brenda dhe me partnerët tanë evropianë për hapat e ardhshëm” , thekson zëdhënësi në deklaratë.
Sipas tij, dialogu i lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë.