Inflacioni dhe indeksimi i pensioneve, ekuacion me “llogari që nuk përputhen”

Nga A2 CNN
17 Shtator 2023, 17:30 | Ekonomi
Inflacioni dhe indeksimi i pensioneve, ekuacion me “llogari që nuk

Vala e inflacionit në vend vijoi tërheqjen për të katërtin muaj me radhë edhe gjatë gushtit. Instituti i Statistikave përllogariti se në raport me gushtin e një viti më parë produktet dhe shërbimet u shtrenjtuan me vetëm 4 për qind. Thënë ndryshe, nëse gushtin e 2022-shit një produkt kushtonte 500 lekë, muajin e shkuar ai u ble nga qytetarët për 520 lekë. Kjo është shkalla më e ulët e rritjes së çmimeve e regjistruar për këtë vit.

Për vendet në zhvillim, pjesë e së cilave është edhe Shqipëria, norma e dëshiruar e inflacionit është 3 për qind. Kjo pasi ky nivel mban të balancuar kërkesën me ofertën duke ruajtur ekuilibrat në tregje. Megjithatë, pavarësisht se treguesi që mat zhvlerësimin e parasë përballë rritjes së çmimeve mbeti 1 pikë përqindje mbi objektiv, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë po e mban të pandryshuar në nivelin 3 për qind normën bazë të interesit për lekun.

Ushqimet vijojnë të shtrenjtohen

Ndonëse në rënie, inflacioni te ushqimet dhe pijet mbeti i lartë në gusht. Duke u bazuar ende te Anketa e Buxhetit të Familjeve për vitin 2021 pasi ajo për 2022-shin ende nuk është publikuar, INSTAT e përllogariti inflacionin te kjo kategori në nivelin 7.8 për qind.

Produktet, çmimet e të cilave u rritën më shumë gjatë gushtit ishin zarzavatet dhe patatet me 20.8 për qind, ndjekur nga mishi me 9.6 për qind, bulmeti dhe vezët me 9.1 për qind dhe frutat me 7.7 për qind.

Edhe në sezonet më të mbara ne kurrsesi nuk arrijmë dot të prodhojmë aq sa për të mbuluar të gjitha nevojat e vendit. Ndaj edhe kemi një varësi kaq të lartë nga importi. Ajo që ndodhi këtë vit ishte fakti se prodhimi vendas shkoi për eksport dhe kjo ndikoi drejtpërdrejtë te rritja e çmimeve, kryesisht të zarzavateve në tregje.”, – vlerëson eksperti i sektorit bujqësor, Ilir Pilku.

Më pak konsum si kundërpërgjigje ndaj inflacionit

Me gjithë inflacionin ende në nivele rekord, të paktën te ushqimet dhe pijet, dyqanet e lagjeve, supermarketet, baret dhe restorantet shitën më shumë produkte në harkun e muajve prill-qershor. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se shitjet me pakicë në tremujorin e dytë të vitit u zgjeruan me 5.2 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë.

Turistët shpëtuan konsumin

Në një kohë që shqiptarët, xhepat e të cilëve janë thuajse zbrazuar nga stuhitë e njëpasnjëshme të krizave po blejnë më pak, të huajt e ardhur për të pushuar në vend mbajtën gjallë kërkesën. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në harkun e muajve prill-qershor turistët e huaj shpenzuan në vend 930 milionë euro, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë.

“Konsumatori vendas po blen më pak. Kjo si pasojë e çmimeve të larta, por edhe zhvlerësimit të euros. Dimë që shumë familje janë të varura nga remitancat dhe nënçmimi i valutës i dëmton ata. Rritja e kërkesës për produkte me pakicë mund të shpjegohet vetëm me shtimin e turistëve, numri i të cilëve këtë vit preku nivele rekord”, – argumenton ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi.

Kriza e çmimeve në sytë e pensionistëve

Krizat, pavarësisht tipologjisë kanë një të përbashkët: të pasurit bëhen edhe më të pasur, ndërsa të varfrit edhe më të varfër. Është fakt i njohur në më tre dekada që ndër kategoritë më vulnerabël, të cilët përbëjnë rreth ¼ e gjithë popullatës janë të moshuarit. Për shumicën e tyre, shpresat e vetme për para janë fëmijët dhe qeveria.

Me aq sa marrin ne nuk mjaftojnë për ilaçe. Dhe kjo nuk është një mënyrë të thëni, por një e vërtetë e dhimbshme. Shpresat te fëmijët i kemi. Falë Zotit që i kemi në rrugë të mbarë. Për të mos u rënë shumë në qafë shpresojmë që qeveria t’i rrisë sadopak ato.” – i tha A2 CNN pensionisti Jashar Murati teksa shëtiste në qendër të Tiranës. 

Nga muaji i ardhshëm pensionistët në qytet do të marrin mesatarisht 1 mijë e 500 lekë më shumë, ndërsa ata në fshat më pak se 900 lekë.

Nga 17 mijë e 350 lekë aktualisht, ajo që merr çdo muaj një i moshuar që jeton në qytet do të bëhet 18 mijë e 842 lekë. Gati 1 mijë e 400 lekë më tepër do të marrin edhe përfituesit e pensionit të invaliditetit në zonat urbane, ndërsa ata që trajtohen me pension familjar do të përfitojnë rreth 700 lekë më tepër.

Ndërkohë, pagesa mujore që merr një i moshuar në fshat, pas indeksimit me 8.6 për qind, do të bëhet 11 mijë e 239 lekë nga 10 mijë e 239 lekë që është aktualisht. Nga 1 tetori do të marrin 712 lekë më shumë përfituesit e pensionit të invaliditetit që jetojnë në fshat, ndërsa ata që trajtohen me pension familjar do të përfitojnë rreth 190 lekë më tepër.

“Kjo rritje mbulon plotësisht normën e rritjes së inflacionit dhe do të sjellë për 3 muajt në vijim 3.2 mln lekë plus. Janë para, por që nuk mjaftojnë, pensionistët meritojnë jo rritje të copëzuar por unike”, tha nga salla e Kuvendit deputeti socialist Erion Braçe, pasi kishte njoftuar indeksimin e pensioneve në masën 8.6 për qind që nga muaji i ardhshëm.

Llogari që nuk përputhen

Shpjegimi vjen përmes shifrave. Norma mesatare e inflacionit te ushqimet dhe pijet që prej muajit tetor 2022, periudhë kjo e marrë si refren për përllogaritjen e indeksimit të pensioneve, ka arritur në 11.6 për qind.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli