Sot do të luhen dhe dy ndeshjet të tjera të vlefshme për javën e tretë në Kategorinë Superiore. Dueli më i fortë në letër është ai mes Partizanit dhe Egnatias. Dy skuadra rivale direkte për titullin kampion do të matin forcat në “Arenën e Demave” me objektivin e vetëm 3 pikët.
Maget, Sembene, Da Silva dhe Mensah janë mungesa të sigurta për të kuqtë, ndërsa lajmi i mirë është rikthimi i Eros Grezdës. Nga ana tjetër, Egnatia do t’i ketë të gjithë lojtarët në dispozicion.
Kujtojmë se dhe në edicionin e kaluar, dy skuadrat ishin rivale direkte dhe luftonin për vendet e para në tabelë, por të katërta ndeshjet e luajtura u mbyllën në barazim.
Nga ana tjetër, Tirana përballet me Kukësin në transfertë. Bardheblutë pas përmbysjes që i bënë Skënderbeut, duan të vijojnë ecurinë pozitive.
Ndonëse përballë një kundërshtari modest, trajneri Orges Shehi nuk ka dashur t’i nënvlerësojë aspak verilindorët, përkundrazi tha se vëmendja duhet të jetë maksimale. Dueli Kukësi-Tirana luhet në orën 16:00, ndërsa Partizani sfidon Egnatian në orën 18:30. (A2 Televizion)